Sulmi i Partizanit drejt Elbasanit, për “shkrap” apo “skrap”
Java e 13-të e gjen Partizanin në transfertën e Elbasanit, në një moment ku pikët e plota kërkohen më shumë se kurrë. Statistikat e “demave” në 12 javët e para nuk të ngjallin shumë optimizëm, ndonëse fazën e dytë e kanë nisur pozitivisht, duke marrë pikë në çdo ndeshje: barazim me Vorën, fitore me përmbysje ndaj Teutës dhe barazim me Vllazninë.
Megjithatë, kur sheh shifrat e këtij Partizani, del qartë se skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja çalon në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Golavarazhi 8-16 është tregues alarmant. Ekipi pëson mesatarisht 1.33 gola për ndeshje dhe shënon vetëm 0.66 gola për takim. Statistika që nuk i shkon për shtat një skuadre si Partizani, për të cilën 16 gola të pësuar priten gjatë një sezoni të plotë, jo brenda 1/3 së kampionatit të rregullt. Shqetësimi më i madh mbetet faza sulmuese, pasi ekipi shënon shumë pak. Një skuadër që realizon thuajse gjysmë goli për ndeshje rrezikon seriozisht zonën e mbijetesës, e aq më pak justifikon pretendimet tradicionale të Partizanit. Kështu, natyrshëm lind pyetja në prag të transfertës: A do të shkojë sulmi i Partizanit drejt Elbasanit për “skrap”, apo për “shkrap”?
SULM PA EFIKASITET, JA KUSH SHËNON TE PARTIZANI Nga tetë golat e shënuar deri më tani, dy janë autogola, të cilët për ironi kanë qenë vendimtarë për fitore, ndaj Vorës (java 1), si dhe ndaj Flamurtarit në Vlorë (java 7). Partizani ka një “çetë” të tërë sulmuesish, por vetëm tre prej tyre kanë arritur të shënojnë: Isgandarli, 2 gola (një me penallti); Toma, 2 gola; Kontreras, 2 gola (i ardhur nga Partizani B). Ndërkohë, disa sulmues që në fillim të sezonit u shihnin si “bomberë” të vërtetë, ende nuk kanë “shkrepur armën”. Xhuliano Suka, Arçange Bintsuka, Viktor Da Silva, Besar Gudjufi dhe Albers Keko i dëmtuar, nuk e kanë gjetur rrugën e rrjetës. Ekipi ka edhe lojtarë të rinj në repartin ofensiv, por përgjegjësia më e madhe bie tek emrat e mësipërm, të cilët askush nuk e di se kur do t’i japin fund “agjërimit” para portës kundërshtare.
TRANSFERTA E ELBASANIT, PROVË KARAKTERI Pikërisht për këtë arsye, ndeshja në Elbasan shndërrohet në një test të vërtetë për sulmin e Partizanit. Nëse sulmi vazhdon të mos shënojë, figurativisht “shkojnë për skrap”, dhe me hapjen e merkatos së dimrit, klubi mund t’i “shkrijë” disa prej tyre. Prej 12 javësh futbollistët e Partizanit duken sikur luftojnë me pushkë druri dhe fishekë manovre. Ka ardhur koha që “ushtria e kuqe”, nën drejtimin e komandantit të ri Oltijon Kërnaja, të gjejë më në fund armatimin e duhur dhe të çlirojë emocionet e ndrydhura të armatës së madhe të tifozëve të kuq.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL













