Spikati në Shkodër, Partizani humbet një nga afrimet e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2025 | 22:33

Spikati në Shkodër, Partizani humbet një nga afrimet e verës

Arafat Doumbia debutoi me Partizanin në transfertën e Shkodrës. Dhe pse të kuqtë u mposhtën 4 me 1 nga Vllaznia, fituan një lojtar që garanton shumë për të ardhmen.

dumbia

Bëhet fjalë për Doumbian, që u aktivizua në minutën e 60-të duke marrë vendin e Redon Ismailit. Partizani po vuante me fillimin e pjesës së dytë, por gjithçka filloi të ndryshonte më pas. 20-vjeçari nga Bregu i Fildishtë fitoi metra në mesfushë dhe i dha frymëmarrje kryeqytetasve. “Panorama Sport” mëson lajmin e keq për dëmtimin e tij. Doumbia do të mungojë rreth 1 muaj duke humbur ndeshje të rëndësishme në Superiore.

DËMTIMI- Doumbia ishte mjaft aktiv për 30 minutat që pati në dispozicion. Mesfushori u mundua të shpëtonte skuadrën nga goli i tretë, por nuk ia doli. Ishte minuta e 96-të, kur u shtri në fushë dhe reklamoi një shqetësim. Më pas doli jashtë fushës së blertë, ndërsa Vllaznia përfitoi nga superioriteti numerik për të shënuar edhe golin e katërt. Kështu u mbyll edhe sfida, ndërsa Doumbia po çalonte. Dhe pse në fillim u mendua se nuk do të ishte diçka serioze dhe 20-vjeçari do të kthehej që dje në stërvitje, diçka e tillë nuk ishte e mundur.

Tërheqja e pësuar bën që të humbasë të paktën tri ndeshje. Të radhës janë me Elbasanin këtë fundjavë, transferta e Bylisit dhe derbi me Tiranën. Jo pak për Doumbian, që e tregoi vetën që në mundësinë e parë. Sinjalet pozitive prej tij ndërkohë ishin dhënë që në stërvitje. Doumbia u afrua në fundin e gushtit dhe menjëherë spikati para Mladen Milinkoviç. Partizani e transferoi nga CR Belouizdad në Algjeri, teksa Doumbia firmosi kontratë të vlefshme deri në vitin 2029 me opsion rinovimi edhe një tjetër.

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, atëherë Doumbia do të jetë në formë pikërisht për transfertën e Flamurtarit. Takimi në Vlorë vlen për javën e shtatë të Superiores dhe është programuar më 19 tetor, fill pas pushimit të radhës për shkak të kombëtareve.

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL