Shpërthen “Peleja” i Beratit, Matrapazi: Tomori me probleme, puna për sezonin e ri të nisë me tapetin e stadiumit
Aktualisht në Berat, figurat e njohura të futbollit dhe jo vetëm po shfaqen mjaft aktive dhe të interesuara, duke u bërë pjesë e një diskutimi të gjerë në lidhje me situatën konfuze në të cilën ndodhet skuadra e Tomorit dhe futbolli beratas në përgjithësi.

Me të drejtë, mbështetësit e skuadrës po ngrenë zërin për problematikat aktuale, por edhe për ato të trashëguara prej vitesh. Një prej tyre është mungesa e kushteve infrastrukturore, jo vetëm për shkak të mungesës së fushave stërvitore, por edhe sepse prej më shumë se pesë vitesh skuadrat e zinxhirit të klubit stërviten me turne në të vetmen fushë të mbetur, deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Por edhe kjo fushë tashmë është plotësisht e amortizuar dhe e papërshtatshme për zhvillimin normal të futbollit.
Problemi kryesor lidhet me tapetin sintetik dhe materialin plastik që ka dalë në sipërfaqe, duke u kthyer në një burim serioz dëmtimesh për futbollistët, jo vetëm beratasit, por edhe skuadrat kundërshtare që luajnë në stadiumin e Beratit. Ky problem i njohur prej kohësh është shoqëruar me një qëndrim pasiv nga ana e drejtuesve. Futbollistë dhe trajnerë beratas i kanë kërkuar vazhdimisht Bashkisë që të bashkëpunojë me institucionet e futbollit për zgjidhjen e këtij ngërçi, duke rikthyer tapetin me bar natyral në stadium.
Agim Matrapazi
Së fundmi për këtë çështje ka reaguar edhe ish-mesfushori i njohur i viteve ’70-’80, Agim Matrapazi, i njohur nga sportdashësit beratas me nofkën legjendare “Peleja” i Tomorit. “Problemi i fushës së stadiumit është i njohur prej kohësh, por mbetet enigmë mënyra se si drejtuesit dhe përgjegjësit e futbollit, deri te presidenti i skuadrës që ligjërisht është kryebashkiaku i Beratit, po e kalojnë në heshtje këtë problem kaq të rëndësishëm. Unë do të insistoja me forcë që puna e parë për sezonin e ardhshëm te Tomori të nisë me ndryshimin e tapetit të amortizuar sintetik dhe vendosjen e një fushe me bar natyral. Vetëm kështu do të marrë fund stërvitja me turne dhe dëmtimi i shpeshtë i futbollistëve.
Madje, po vazhdoi kështu, nuk do të ishte aspak çudi që një ditë edhe skuadrat amatore të çdo grupmoshe të refuzojnë të luajnë në fushën e Beratit. Një tapet me bar natyral do të sillte edhe të ardhura për qytetin, pasi FSHF do të zhvillonte më shumë ndeshje në stadiumin tonë, për vetë kushtet dhe sigurinë që ofron impianti”, u shpreh Matrapazi. Kohë më parë është përfolur për ndërhyrje në infrastrukturën sportive të qytetit të Beratit, pasi është premtuar ndërtimi i dy fushave të reja stërvitore, si dhe ndërhyrja në stadium duke rikthyer tapetin me bar natyral. Gjithsesi, për momentin kjo mbetet në kuadrin e fjalëve dhe të vjen keq që edhe shumë fshatra të Shqipërisë kanë përfituar investime në fusha stërvitore të financuara nga FSHF.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













