Shehi: Elbasani të shpallet kampion, duam ta mundim për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 17:59

Shehi: Elbasani të shpallet kampion, duam ta mundim për mbijetesën

Vora po vijon intensivisht stërvitjet për të rimarrë edhe një herë fitore kundër Elbasanit. E ka bërë këtë në fazën e parë kur sapo kishte debutuar në elitë, duke e mundur 2-1 në “Elbasan Arena” e tani e ka jetike fitoren për të mbijetuar.

DAJAN SHEHI FESTE

Te kampi vorak i besojnë mbijetesës, pasi grupi është i plotë për të përballuar këto tre ndeshje të mbetura me rezultate pozitive. Më parë deklaroheshin nga zyrtarët e klubit, se 9 pikë për Vorën do të ishin të mjaftueshme për mbijetesën, kjo dhe për të thyer çdo aleancë të mundshme të rivalëve. E trepikëshi i parë erdhi mjaft bukur duke mundur bindshëm kampionët e Egnatias, e këtë herë pritet trepikëshi dytë, duke pasur një nga kundërshtarët më të fortë të kampionatit tonë, ato të kryesuesve të elitës, Elbasanin.

Dy fitore, tre barazime dhe një humbje në fazën e katërt të kampionatit, tregon se kjo skuadër në këtë sprint ka ende energji për të mposhtur ekipe të mëdha. Ajo ka arritur të mposhtë gjatë kësaj faze, kampionët e Egnatias, Teutën dhe ka barazuar me Partizanin, Vllazninë dhe Flamurtarin duke regjistruar të vetmen humbje me bardheblutë e Tiranës. 9 pikë të marra në 6 ndeshje ose 50 për qind të pikëve është një tregues që skuadra vorake do të mbijetojë. E kjo javë do të jetë mjaft e favorshme për Vorën, nëse ajo do të arrijë suksesin me elbasanasit dhe pritet ndonjë dhuratë nga gabimet e rivalëve të saj të cilët mund të gabojnë këtë javë. Kjo do të shërbejë pozitivisht tek skuadra debutuese e superiores, që Vora të rimarrë sërish vendin e 7-të aty, ku është dhe objektivi real i saj.

PRONONCIMI – Një elbasanlli, që u bë pjesë e Vorës, që sezonin e kaluar, kur erdhi nga Gjilani është bërë epiqendra e mbrojtjes vorake, duke qenë prezent në 27 ndeshje të kampionatit në qendrën e mbrojtjes vorake. Ai është Dejan Shehi, 29-vjeçari me një përvojë 12 vjeçare e një karrierë të shkëlqyer me skuadra elitare si Teuta, Partizani, Kastrioti, Vllaznia e Skënderbeu, gjithashtu ai mbart edhe karrierën me skuadra kroate si Hajduk i Splitit dhe kosovare tek Gjilani e ka bërë të pazëvendësueshëm në këtë rol pranë kësaj skuadre. Lidhur me ecurinë e deritanishme të Vorës dhe mbijetesën e saj ai shprehet i prerë.

“Jemi të bindur në misionin e kësaj skuadre për të mbijetuar. Kjo, sepse tek ky klub, ka një projekt afatgjatë, që nuk mund të lihet në mes. Që në ardhjen time, ishte pikërisht ky projekt që më bindi të vija pranë një klubi të Kategorisë së Parë, me misionin për ta ngjitur në Superiore e për të pasuar më tej, në sezonet e ardhshme me pretendime të mëdha. Por më parë ne na duhet një luftë e fortë për mbijetesën. E kjo do të vij me rezultatet maksimale ndaj kundërshtarit të radhës, që është konkretisht një skuadër që asnjëherë nuk dëshiroj ta mund. Elbasani është shpirti im, por duke qenë pjesë e Vorës në dy sezonet e fundit edhe kjo është bërë pjesë e zemrës sime.

Mëdyshja ime vepron këtë herë për Vorën ku duam fitoren ndaj Elbasanit. Edhe shpirti edhe zemra më vlojnë për fitore, dua fitoren e Vorës ndaj Elbasanit dhe fitoren e Elbasanit për titullin kampion. Kjo do të ishte përputhja më e madhe për këto mëdyshje të mija. Këtë herë në Vorë ne jemi të prerë, duam vetëm fitoren, pasi kjo ndeshje do të jetë më shumë se intriguese sepse varen fatet e gjithë sezonit. Një hap fals do të ishte i pafalshëm dhe do të rëndonte ndjeshëm në cilësitë dhe kualitetet tona”, – shprehet në prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport” një veteran futbolli me karrierë të shkëlqyer si Dajan Shehi.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL