Rritet “alarmi” në Berat, Çilingiri: Tomori është bërë për t’u keqardhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2026 | 11:02

Rritet “alarmi” në Berat, Çilingiri: Tomori është bërë për t’u keqardhur

Pas humbjeve të njëpasnjëshme në kampionat, veçanërisht pikëve të lëna në shtëpi dhe disfatave të shpeshta në transfertë, situata e Tomorit është bërë mjaft problematike.

CILINGIRI

Në Berat po rritet frika për një rrëshqitje të rrezikshme drejt fundit të renditjes, sidomos duke parë kalendarin e vështirë të javëve në vijim. Në dy ndeshjet e radhës, që vijnë njëra pas tjetrës, beratasit do të përballen me Bylisin B në transfertë të dielën dhe më pas me Butrintin në shtëpi. Aktualisht nuk ka asnjë garanci për pikë maksimale, sidomos duke parë një fakt shqetësues: Tomori ka dështuar vazhdimisht ndaj skuadrave pretendente, pavarësisht fushës ku ka luajtur.

Rënia në renditje shihet si sinjal negativ për një ekip që nuk po reagon. Po aq të shqetësuar sa tifozët janë edhe figurat e njohura të historisë së klubit. Ish-kapiteni dhe “Mjeshtri i Sportit”, Petrit Çilingiri, ka shprehur hapur shqetësimin para sfidës me Bylisin B.

“Të them të drejtën, më shqetëson shumë gjendja e skuadrës, aq më tepër në Kategorinë e Dytë, ku pritej që Tomori të ishte protagonist falë emrit dhe traditës. Rezultatet negative i kanë dëmtuar reputacionin ekipit dhe kjo ka alarmuar jo vetëm veteranët, por edhe opinionin sportiv. Sot Tomori është bërë për t’u keqardhur”, u shpreh Çilingiri.

Ai kujtoi se dikur skuadrat e mëdha i druheshin përballjeve me Tomorin, sidomos në Berat, ndërsa tani situata është përmbysur. Sipas tij, mungesa e përgjegjësisë institucionale ka ndikuar në këtë rënie. “Nëse kjo situatë nuk vlerësohet me seriozitet, rrëshqitja në tabelë do të ishte katastrofë për futbollin beratas. Kthesa duhet të nisë që nga Ballshi këtë javë, nëse nuk duam të përballemi me dështimin më të madh në historinë 103-vjeçare të klubit”, përfundoi ish-kapiteni.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL