Rast i pazakontë me trajnerët, vetëm tre klube nuk “kopjojnë” modelin e Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2026 | 20:02

Rast i pazakontë me trajnerët, vetëm tre klube nuk “kopjojnë” modelin e Egnatias

Tashmë janë mbyllur 28 javë të Abissnet Superiores. Disa llogari mund të bëhen, edhe sa u përket trajnerëve. Kjo pasi ndryshe nga edicionet e kaluara, bie në sy se vetëm tre klube e kanë ndryshuar trajnerin. Bëhet fjalë për Tiranën, Flamurtarin dhe Partizanin.

SUPERIORE

NDRYSHIMET- Tirana ka larguar tre trajnerë, ndërsa nga Flamurtari bëhet fjalë për dy trajnerë të huaj që morën valixhet. Partizani ndërkohë nuk funksionoi me Mladen Milinkoviç, për këtë ekipi iu besua Oltijon Kërnajës. Kjo zgjedhje e guximshme e presidencës së kryeqytetasve është surpriza e këtij edicioni në elitën e futbollit shqiptar. Nga vendi i parafundit në kampionat pas gjashtë javësh, Partizani aktualisht mban vendin e katërt dhe synon Europën.

E PAZAKONTË- Ky edicion duket i pazakontë sa i përket ndryshimeve në pankinë. Kjo pasi janë shtatë klube, që u kanë rezistuar ndryshimeve pavarësisht oshilacioneve. Duket se është kopjuar modeli i suksesshëm i Egnatias ku Edlir Tetova drejton që nga janari i vitit 2023.

MODELI EGNATIA- Kampionët e Shqipërisë kanë krijuar një model për kampionatin shqiptar. Tetova është besuar në stol, pavarësisht situatave të vështira që ekipi ka kaluar. Jo rastësisht janë parë rezultatet, duke fituar dy tituj kampion radhazi si Skënderbeu i kohëve të arta. Po ashtu, Egnatia qëndron sërish vetëm 2 pikë larg kreut, duke qenë pretendent për trofeun e tretë radhazi.

FAZA E FUNDIT- Kjo fazë është edhe delikate. Aq sa nuk dihet se sa trajnerë do vazhdojnë projektin, edhe për edicionin e ardhshëm. Deri tani shifrat tregojnë se drejtuesit po u besojnë projekteve të fillimit të sezonit, për t’i bërë në fund llogaritë.

VËZHGIMI- “Panorama Sport” i ka renditur trajnerët, bazuar në mesataren e pikëve të fituar nga secili trajner. Dhe për shkak se ndryshimet nuk janë parë të shumta, ajo përkon me renditjen aktuale. Përjashtim bën fundi i tabelës ku gjithsesi diferenca nga Flamurtari i vendit të fundit te Vora e vendit të shtatë është 3 pikë. Në numrin e ndeshjeve, nuk llogariten pezullimet e trajnerëve nga Disiplina apo për shkak kartonësh.

Screenshot 2026-03-16 184847-logo

Screenshot 2026-03-16 193316-logo

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL