Rahman beson te reagimi i Tomorit: Fitorja detyrim, i ndihmoj me gola
Për skuadrën e Tomorit, sipas të gjitha parashikimeve, fitoret në ndeshjet e mbetura në shtëpi janë një domosdoshmëri, pasi vetëm në këtë mënyrë beratasit mund të shmangin surprizat e pakëndshme në renditje.

Situata bëhet edhe më delikate për faktin se ekipet e fundit të tabelës kanë nisur të bëjnë llogaritë e tyre për t’iu shpëtuar rënies direkte, ndërsa Tomori do të ketë edhe një javë pushim, që indirekt mund të favorizojë rivalët ndjekës. Në këtë kontekst, përballja e radhës ndaj Eagles merr rëndësi të veçantë, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk do t’i bënte punë skuadrës beratase.
Pas humbjes në transfertën e Këlcyrës, Tomori duket se është larguar përfundimisht nga gara për vendin e pestë, një objektiv që e mbante ekipin të motivuar gjatë kampionatit. Tashmë synimi realist mbetet sigurimi i një pozicioni të qëndrueshëm në mesin e tabelës. Sulmuesi Rahman, autor i katër golave deri tani, është shprehur optimist për rikthimin te fitorja në ndeshjen e kësaj jave. Sipas tij, skuadra duhet jo vetëm të fitojë, por edhe ta bëjë këtë me një rezultat bindës.
“Besoj se fitorja këtë javë nuk do të diskutohet dhe kam shumë besim se do ta shoqërojmë edhe me një rezultat të pastër në shifra. Personalish do të dëshiroja të shënoja për të ndihmuar skuadrën dhe për të rritur kuotën time të golave. Tani ndihem shumë i ambientuar si me ekipin, ashtu edhe me nivelin e kampionatit”, është shprehur sulmuesi, i cili ka lënë përshtypje të mira në debutimin e tij me Tomorin gjatë fazës së dytë.
Ndërkohë, në prag të ndeshjes të së dielës mbetet për t’u parë edhe reagimi i tifozëve beratas. Të zhgënjyer nga luhatjet në lojë dhe rezultatet e fundit, një pjesë e sportdashësve dhe ish-veteranëve kanë shprehur pakënaqësi. Megjithatë, pritet që sfida e radhës të jetë një mundësi për skuadrën që të rikthejë besimin dhe mbështetjen e publikut të saj.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













