Qarri kthehet në mars, Vllaznia me 3 mungesa në Durrës
Vllaznia iu rikthye dje fushës stërvitore, duke nisur përgatitjet për ndeshjen me Teutën. Grupi kuqeblu nuk ka qenë i plotë, sepse disa titullarë vijojnë të vuajnë nga dëmtimet.

Klinti Qato dhe Kristi Qarri nuk do jenë të gatshëm as në Durrës për trajnerin Tomas Brdariç. Mesfushori kuçovar do të mungojë edhe për një periudhë gati dyjavore, ku rikthimi i tij në fushë pritet pas ndeshjes së kupës ndaj Elbasanit. Më shqetësuese është situata për portierin Qarri, i cili vuan një dëmtim që nga ndeshja me Laçin në javën e 18-të. “Gardiani” shkodran do të qëndrojë jashtë fushave deri në muajin mars, sipas asaj çfarë mëson “Panorama Sport”. Titullar i portës deri atëherë do të jetë Jukaj.
Lajmi i mirë është rikuperimi në 100% i Krymit, i cili pritet titullar kundër Teutës. Mungon për shkak kartonësh në këtë ndeshje mbrojtësi Melos Bajrami.
PANORAMASPORT.AL













