Pikantet e Elbasani-Egnatia/ Tifozët protagonistë, Aleksi i kudondodhur

– Ata pak tifozë që ishin në stadium i përkisnin në masën 90% atyre nga Elbasani, me një numër shumë të vogël nga Rrogozhina. Afërsisht ishin rreth tre mijë të pranishëm.
– Kapiteni i Egnatias, Albano Aleksi, vazhdon të jetë në shënjestrën e tifozëve elbasanas, te cilët edhe pa filluar ndeshja nisën sharjet ndaj tij.
– Arbenit Xhemajli “harron” që topi nuk kishte dalë jashtë vijave kufi zuese dhe ndal një top me dorë. Duke qenë se ishin sekondat e para të sfidës, gjyqtari i fal kartonin.
– Nevil Dede nuk i beson syve tek rasti i Bakajokos në minutën e 25-të, duke u kthyer nga pankina dukshëm i mërzitur.
– Bakajoko provokon tifozët e Elbasanit pas golit të shënuar, duke shkuar të festojë tek ata. Moment që irritoi tifozërinë dhe vërshuan gotat e birrës ndaj tyre. Kryesori Xhaja shkon t’i tërheqë vëmendjen sulmuesit të Egnatias.
– Pas golit të tretë të Egnatias, Lajthia me Aleksi, dukshëm me tone të nxehta sqarohen mes tyre, për gëzim të tepruar të kapitenit të kampionëve dhe provokim të tifozëve.
– Tsague tërbohet me arbitrin pas ndërhyrjes ndaj tij, ku pretendon për penallti. Kryesori ia bën i sigurt me duar që nuk është dakord, pasi ndërhyrja ishte jashtë zone.
– Sota i kërkon ndihmë Fangajt pas një tërheqje që pësoi në kofshë. Deri sa hyri stafi mjekësor, ndihma e parë iu dha nga shoku i skuadrës.
– Aleksi i kërkon llogari Bunjakut për një ndërhyrje ndaj Ruçit. Moment që solli irritimin e tifozerisë elbasanase.
– Adjesa rrinte i shtrirë në tokë dhe kërkonte ndihmë mjekësore, por Xhaja nuk ndal lojën. Madje, kërkon nga lojtarët e Egnatias të vazhdojnë, ndryshe do të ndëshkoheshin me kartonë.
– Tek Egnatia duan të gjithë të gjuajnë penalltinë dhe si Ruçi ashtu edhe Aleksi kërkojnë me ngulm nga pankina një konfi rmim. Dede vendos në fund t’ia lërë kapitenit, i cili nuk gabon. Ai bëri shenjë se kishte dedikim për gruan e tij që ishte shtatzënë, duke bindur me sa duket trajnerin i cili e aprovoi. Ndaj, Bakajoko i cili kishte marrë sferën, hoqi dorë nga mundësia e tregolëshit dhe ia dorëzoi kapitenit. Ky i fundit më pas e kreu gjithçka me sukses, duke ekzekutuar me “Panenka: dhe bëri festimin e tij me dedikim.
– Tifozët e Elbasanit nisin të largohen pas golit të katërt të Egnatias, dukshëm të pakënaqur me skuadrën e tyre.
– Lulaj nga pankina çohet në fund të ndeshjes dhe urdhëron ekipin të shkojnë të përshëndesim tifozët. Me kokën ulur, por gjithsesi marrin duartrokitjet edhe pas bisedës së kapitenit me ta. – Tifozeria vendëse e ka inatin me Aleksin, i cili shpesh herë ofendohet në kor, por ky i fundit i “shpërblen” me gol në panenka.
– Pas golit të tretë të shënuar nga Fernando, shumë tifozë verdheblu largohen nga stadiumi.
– Në tribunën kryesore kishte disa presidentë të klubeve të Superiores teksa Ardian Takaj sërish preferon të ulet në tribunën e medias.
– Si në tribunën qendrore, ashtu edhe në ato pas porte, kishte forca të shumta policie për të shmangur çdo përplasje të mundshme mes tifozëve.
– Pas përfundimit të ndeshjes, Bakajoko merr çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes dhe zgjedh fushën për të shkrepur disa foto, megjithëse ndaj tij fluturojnë disa gota birre.
– Nga gotat e shumta të birrës që bien në fushë, Fernando merr një prej tyre dhe bën sikur e pi, por me pas e hedh jashtë vijave kufizuese.
– Pas fundit të takimit, dy skuadrat shkojnë pranë tifozerive respektive. Rrogozhinasit festojnë, ndërsa verdheblutë qëndrojnë me kokën ulur para tifozerisë.
– Juxhin Xhaja merr çdo vendim vetë, pa pasur nevojë që të përdorë sistemin VAR në asnjë moment.
PANORAMASPORT.AL













