Peng i vizës shqiptare, sulmuesi pritet të bashkohet së shpejti me Tiranën në Greqi
Tirana ka një shqetësim më vete, veç të dëmtuarve aktualë. Me skuadrën nuk është bashkuar ende afrikani i krahut të majtë, Abel Abah.

Lojtari është larguar që në fund të majit në shtëpi dhe ende nuk është kthyer. Drejtuesit nuk e kanë larguar, por problemi aktual është bllokimi i tij në Afrikë. Çështja e vizës e mban larg lojtarin, i cili do të bashkohet me grupin gjatë fazës përgatitore në Greqi. Për lojtarët e huaj nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Afrikanët kanë pasur gjithmonë probleme me vizat, ndërsa çështja e Abah do të zgjidhet në ditët në vazhdim.
MUNGESAT – Te Tirana ka pasur disa mungesa gjatë këtyre ditëve. Qëndrim Ismajli ishte një tjetër futbollist që nuk u pa në miqësoren me Lirinë. Lojtari vazhdon të jetë pikëpyetje te Tirana. Ai ka një dëmtim në shpinë që vazhdon ta mundojë. Jo vetëm kaq, por mjekët disa herë kanë bërë ndërhyrje të ndryshme dhe nuk ia kanë dalë. Lojtari humbi gjithë pjesën e dytë të sezonit të shkuar nga ky dëmtim misterioz. Ismajli erdhi verën e shkuar nga Gjilani. Ai në pjesën e parë të sezonit luajti 23 takime, duke shënuar 3 gola, me një prezencë në fushë prej 1562 minutash. Lojtari, nga janari e në vazhdim, u dëmtua dhe nuk arriti të luante. Futbollisti do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik, gjithmonë nëse do të gjendet dëmtimi. Dy lojtarë nuk luajtën fare në sfidën e së shtunës mes Tiranës dhe FC Lirisë së Prizrenit. Bëhet fjalë për Metën dhe Ernestin, dy nga titullarët e sezonit të shkuar. Si njëri dhe tjetri kanë pasur shqetësime gjatë stërvitjes dhe stafi është munduar që t’i ruajë për të mos agravuar edhe më shumë dëmtimet.
Meta ka pasur probleme me “rrëzët e kofshëve” dhe nuk është preferuar të luajë. Nga ana tjetër, Ernest ka pësuar një goditje në gju dhe është lënë pushim për të mos e rënduar edhe më shumë situatën. Gjithsesi, të dy nuk rrezikojnë më shumë, pasi do të vazhdojnë përgatitjet. Kujtojmë që merkatoja ka sjellë në skuadër gjashtë lojtarë, duke nisur nga porta deri në sulm. Nga janari e në vazhdim, ekipi është bërë i gjithi në repartin e sulmit. Kanë ardhur Tabekou, Patsatsia, Tare, ndërsa Abah, Haxhiu, Gjumsi, Mihana duhet të luftojnë për një vend titullari. Mesfusha ka disa ndryshime të vogla, por garda e vjetër, me Metën, Solerin dhe Rafaelin, qëndron në këmbë. Marku, Tola dhe Vogli, pa harruar Duron, duan një shans nga trajneri Mile.
PANORAMASPORT.AL













