Partizani “KO” me ekipin e parë, strategjia e verës rezulton dështim
Partizani po vuan në këtë edicion. Më saktë të kuqtë janë përballur me vështirësi përgjatë gjithë vitit 2025. Viti më i vështirë për rezultate në historinë e klubit, me përjashtim të atyre ku janë provuar rëniet nga kategoria.
Për ekipin e parë pritej një revolucion për mirë gjatë verës. Ndryshimet erdhën të shumta, por nuk sollën rezultate të mira. Fakt është se tani Partizani mban vendin e shtatë, me vetëm 1 pikë më tepër se Bylisi që mbyll zonën e ftohtë. Të kuqtë ndërkohë kanë funksionuar në fushën e blertë sa i përket akademisë dhe ekipit B.
EKIPI B– Te Partizani është krijuar një skuadër konkurruese në Kategorinë e Dytë. Bëhet fjalë për ekipin që pretendon ngjitjen pas tetë javësh të luajtura. Fillimisht një barazim i regjistruar në transfertën e Shkumbinit me rezultatin 2-2 dhe humbja e djeshme(1-2) ndaj Orikut, janë ndalesat pas një ecurie pozitive me fitore. Vetëm vendi i parë siguron ngjitjen direkt. Pjesa tjetër duhet të luftojë në fazën “play off”. Partizani me një ndeshje më tepër për të luajtur në krahasim me Orikun, ndodhet 6 pikë prapa. Ekipi nuk e diskuton pjesëmarrjen në “play off”, megjithatë objektiv mbetet vendi i parë.
AKADEMIA– Te “demat” është ndërtuar një zinxhir lojtarësh, që premton për të ardhmen. Kjo tregohet edhe në renditje, pasi Partizani kryeson aktualisht me grupmoshën U-17, U-18 dhe U-19. Gara për kreun e tabelës tregon se akademia po funksionon. Elementeve si Qokthi, Malaj, Himallari dhe Vata ndërkohë u është dhënë mundësia tek ekipi i parë. Himallari dhe Vata janë vetëm 16 vjeç, ndërsa Malaj e Qokthi premtojnë po ashtu dhe pse mundësitë për ta janë të pakta në ekipin e parë.
SUKSESI- Rrugëtimi i ekipit të parë nuk është aspak në sinkron me akademinë dhe ekipin B. Ndërtimi i grupit dhe luhatjet e shumta në pankinë kanë ndikuar, që deri tani të mos vërehen hapat e duhur. Europa duket më e arritshme përmes Kupës së Shqipërisë, pasi në kampionat po luftohet për mbijetesën. Në rast se nuk marrin pjesë në “Final Four”, apo më keq nuk sigurojnë Europën, Partizani do e kishte sezon plotësisht të dështuar. Gjithçka nisi me eliminimin që në turin e parë të Ligës së Konferencës. Prej atëherë sinjalet e edicionit që po luhet nuk kanë ndryshuar.
KRAHASIMI- Statistikat vijojnë të jenë shqetësuese te Partizani. “Demat” rezultojnë që po kalojnë sezonin më të dobët, që pas rikthimit në Superiore. Ishte viti 2013, kur të kuqtë u bashkuan sërish me elitën. Me 14 pikë të grumbulluara në 13 javë, Partizani regjistron ecurinë më të dobët. Ky fakt vërehet edhe me vendin e shtatë në renditje. Vetëm 1 pikë më pak ka grumbulluar deri tani Bylisi, që mbyll zonën e ftohtë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













