Partizani dhe Vllaznia premtojnë spektakël, ironia e trajnerit Martini ndez “Demat”
Vllaznia është kthyer në kryefjalën e Superiores. Jo vetëm sepse kryeson me po aq pikë sa Elbasani, por edhe për shkak të deklaratave të ditëve të fundit.
Protagonist kryesor është bërë trajneri Edi Martini, i cili pas fitores me Dinamon nuk u kursye me thumbimet edhe për dy klubet e tjera të kryeqytetit. I pyetur se cilin klub shikon si rival kryesor në luftën për titull, përmendi me ironi Partizanin dhe Tiranën. Dy ekipe të cilat deri tani shfaqen vetëm në luftë për mbijetesë.
DEKLARATA- “Kë shikon si rival kryesor të Vllaznisë për titullin kampion?”, u pyet Martini. Përgjigjia e tij që shkaktoi edhe të qeshura ishte gjatë prononcimit ishte: “Unë me thënë të drejtën shoh Partizanin dhe Tiranën”. Këto fjalë hoqën vëmendjen nga Egnatia, Elbasani dhe Dinamo, ndërsa thumbuan kryeqytetasit për gjendjen e vështirë që po kalojnë.
SHTATOR- Mes polemikave të shumta, Vllaznia fitoi me rezultatin 4-1 në Shkodër ndaj Partizanit. Ndeshja e shtatorit pa kuqeblutë të shënonin tre gola në kohën shtesë, ndërsa fitorja u regjistrua me përmbysje. Tashmë kanë kaluar dy muaj nga ai takim. Sfida e radhës do të luhet në stadiumin “Arena e Demave”, ku janë provuar të tre rezultatet gjatë kohëve të fundit mes Partizanit dhe Vllaznisë. I vetmi klub, që e ka provuar fitoren këtë edicion në shtëpinë e të kuqve, është Elbasani. Verdhebluve u mjaftoi një gol gjatë pjesës së parë për të vendosur fatin e takimit.
DIFERENCA- Vllaznia numëron plot 11 pikë më tepër se Partizani. Ndryshe një diferencë që është thuajse sa pikët që të kuqtë kanë fituar në këtë edicion të Superiores. Presioni për të dyja skuadrat është aktualisht për objektiva të ndryshëm. Partizani kërkon t’i largohet zonës së ftohtë, ndërsa Vllaznia të vazhdojë në krye të renditjes. Asnjërës prej dy skuadrave nuk do i bënte punë vetëm barazimi. Për këtë pritet një ndeshje e ndezur dhe me synim 3 pikët. Rrallë herë në vitet e fundit, Partizani e ka parë veten me një distancë të tillë nga kuqeblutë.
AXHENDA– Për t’u përcaktuar mbetet axhenda, ndërsa pritet të luhet në fundjavën e ardhshme. Pavarësisht pozicionit të Partizanit në renditje, bashkë me ndeshjen Dinamo-Elbasani shikohen si supersfidat e javës së 12-të. Ironia, thumbimet dhe objektivat bëjnë që spektakli në Tiranë të jetë i garantuar. Partizani nuk ka fituar asnjëherë dy sfida radhazi në kampionat prej një viti. Përpara është ndeshja me Vllazninë, që nuk mund të parashikohet. Duhet thënë se morali është ngritur nga takimi i fundit me Teutën. Për të thyer “tersin”, prej një viti asnjëherë dy fitore radhazi Partizani nuk është treguar aspak dinjitoz në fushë gjatë vitit 2025, por situata duket se i ka rrënjët nga më parë. “Panorama Sport” ka vëzhguar situatën, që përkon me dy fitoret e fundit radhazi në kampionat. Çuditërisht për një klub si Partizani, bëhet fjalë për 24 nëntor 2024. Kjo datë përkon me fitoren minimale ndaj Laçit, ndërsa më parë të kuqtë kishin triumfuar në kampionat ndaj Dinamos(1-2).
STATISTIKAT- Partizani ka luajtur 33 javë në Superiore prej sfidës së nëntorit të kaluar me Laçin. Çfarë bie në sy është se deri tani, nuk ka pasur asnjëherë tjetër dy fitore radhazi në elitën e futbollit shqiptar. Për më tepër, humbjet janë të preferuarat pasi janë regjistruar plot 13 herë. Kundrejt tyre qëndrojnë 11 barazimeve dhe vetëm 9 fitore. Në këtë periudhë prej 12 muaj, seria më e gjatë është regjistruar dy herë me katër humbje radhazi.
GOLAVARAZHI– Partizani në periudhën e vëzhguar regjistron vetëm 26 gola të shënuar në 33 ndeshje. Më tej janë 38 gola të pësuar. Shifra shqetësuese që tregojnë se rezultatet e dobëta dhe forma aktuale nuk është rastësi. Golavarazhi -12 e tregon Partizanin si klub inferior përballë rivalëve të tjerë të Superiores. Duhet thënë po ashtu se më keq në këtë periudhë të vëzhguar për Partizanin, vetëm Tirana rezulton të ketë bërë më keq ndër klubet e tjera të Superiores. Pjesa tjetër e skuadrave të mbetura nga edicioni i kaluar, ka bërë më mirë.
FINAL FOUR- Fillimi i edicionit të kaluar ishte kështu fat i madh për të kuq, të cilët morën pjesë në “Final Four”. Nëse shikojmë këto statistika, kuptojmë se përfshirja në katërshe ishte edhe si mrekulli, ndërsa kujtojmë se Europa u arrit vetëm me një fitore ndaj Elbasanit në fund. Fillimi mjaft i dobët, tashmë nuk premton për të ardhmen.
E RADHËS- Nëse është kthyer në “ters”, atëherë Partizani i Kërnajës ka mundësinë që ta thyejë ndaj Vllaznisë. Pas fitores me përmbysje të çmnedur, nga 2 me 0 në 2 me 3 ndaj Teutës, përballë Vllaznisë 3 pikët do të kishin vlerë të madhe. Takimi me shkodranët vlen për javën e 12-të të Superiores.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













