Partizani beson te një tjetër alternativë për krahun e djathtë, sulmuesi shkodran: Me zemër për fanellën
Nebi Qokthi ka firmosur kontratën e parë si profesionist. Talenti shkodran spikati si anësor dhe në qendër të sulmit me ekipin U-19 përgjatë edicionit të kaluar, ndërsa tashmë është alternativë për ekipin e parë. Qokthi ka qenë pjesë e Partizanit, që pas përfundimit të sezonit të kaluar.

Pasi bindi stafin teknik, iu besua kontrata 4-vjeçare me opsion rinovimi edhe një vit tjetër. Qokthi po bën mjaft mirë edhe krahun e djathtë të mbrojtjes. 19-vjeçari shikohet si alternativë aty, pikërisht për Karlos Martinez. Sinjalet e dhëna në miqësore kanë qenë mjaft pozitive.
AKADEMIA- Te Partizani është firma e tretë e kësaj vere, që vjen për lojtarët nga Akademia. Fillimisht ishin Elson Himallari dhe Dion Vata, që iu besuan kontrata 3-vjeçare. Himallari dhe Vata kontribuan për fitimin e titullit tek ekipi U-16, por dhe U-17. Në anën tjetër, ekipi U-19 nuk ia doli në javën e fundit pasi u mposht nga Skënderbeu në Korçë.
QOKTHI- Pas rinovimit, që përkoi me datëlindjen e tij, lojtari postoi në rrjetet sociale. Qokthi shkroi: “Me krenari pjesë e familjes së kuqe. Pas dy viteve rritjeje dhe sakrifice në Akademinë e Partizanit, sot – në ditën time të lindjes – hedh një hap të madh në karrierë duke u bërë zyrtarisht pjesë e ekipit të parë. Faleminderit klubit për besimin dhe çdo trajneri që ka kontribuar në formimin tim. Mirënjohje të veçantë Zotit që më udhëheq çdo ditë, dhe familjes time që ka qenë gjithmonë forca dhe mbështetja ime më e madhe. Ky është vetëm fillimi – me përkushtim, punë dhe zemër për fanellën!”
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













