Orari i pazakontë, Dinamo kërkon suksesin e radhës në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2025 | 12:47

Orari i pazakontë, Dinamo kërkon suksesin e radhës në kampionat

Dinamo do të përballet sot me Flamurtarin në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur nga ora 15:30.dinamo“Nëndetësja” vjen në këtë takim nga një fitore e rëndësishme kundër Tiranës, teksa do të synojë fitoren e dytë radhazi për të treguar se është kandidate për një vend në “Final 4”. Pas nisjes jo të mirë të sezonit, blutë do të synojnë vazhdimësinë ndaj vlonjatëve, që tashmë e shohin veten në vështirësi të mëdha pas 5 javëve të para, me trajnerin Garsia që rrezikon edhe shkarkimin në rast të një rezultati negativ.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo i ka mbyllur përgatitjet pasditen e djeshme në Arbanë, ku trajneri Ilir Daja e ka pasur skuadrën e plotë. Ndryshe nga ndeshjet e fundit ku ka pasur edhe mungesa, këtë herë blutë janë të plotë. Gudiabi ka arritur të rikuperohet në kohë dhe do të jetë i gatshëm teksa edhe Guindo më në fund do të jetë në gjendje të japë kontributin e tij. Pjesa tjetër e skuadrës, ka qenë në gjendje optimale dhe nuk ka pasur shqetësime apo edhe penalizimi për shkak të kartonëve.

NDESHJA- Sfida ndaj Flamurtarit, është planifikuar të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” duke nisur nga ora 15:30. Moti pritet të jetë kthjellët dhe i freskët me temperaturat që variojnë 16-17 gradë celcius. Me shumë gjasa, kjo është ndeshja e fundit në një orar të tillë, duke qenë se ndeshjet e tjera do të luhen në orën 14:00, ndërkohë që në nëntor luajnë në orën 13:00 për shkak të ndryshimit të orës.

PANORAMASPORT.AL