“Nuk ka vend për eufori para Elbasanit”, Mala: Vllaznia më e plotë që nga ardhja ime, synojmë vendin e parë
Para mediave lokale në Shkodër në prag të takimit me Elbasanin u shfaq Esat Mala.

Mesfushori foli pikërisht për gjendjen e skuadrës para kësaj ndeshjeje, duke vlerësuar atmosferën shumë pozitive tek kuqeblutë. Por, që sipas prizrenasit euforia nuk duhet të ekzistojë dhe ekipi duhet të jetë i përqendruar në çdo ndeshje. Ai po ashtu thekson edhe vështirësinë e duelit të radhës, por ka besim tek skuadra e tij që gjithmonë futet në fushë për të arritur fitoren.
Mala, si vjen skuadra në prag të këtij takimi kaq të fortë?
Është me të vërtetë një ndeshje e fortë sepse përballë do të jenë dy skuadrat kryesuese, ajka e futbollit shqiptar. Po ashtu që mbartin një histori të madhe ndër vite. Ne jemi të përgatitur, kemi analizuar çdo detaj e po ashtu dimë ku janë pikat e forta e të dobëta. Prandaj futemi në fushë besim plotë e për të arritur fitoren në një ndeshje kaq të rëndësishme.
Përballë do jenë mbrojtja më e mirë e Elbasanit dhe sulmi më i mirë i Vllaznisë…
Elbasani ka ecur mirë në këto javë dhe duhen përgëzuar për këtë. Po ashtu ne jemi të fortë dhe të gatshëm për të bërë lojën dhe stilin tonë. Besoj se do jetë një duel i gjithi për t’u shijuar edhe nga tifozët që uroj të jenë të shumtë për të na mbështetur në stadium.
Në aspektin personal duket se keni ardhur në formën e duhur apo jo?
Po, besoj se po kaloj një moment të mirë së bashku me ekipin. Por, që nuk duhet të jem kurrë i kënaqur, gjithmonë ka vend për përmirësim, stërvitje dhe lojë më të mirë nga ana e çdo futbollisti.
Është e plotë Vllaznia para këtij dueli dhe e gatshme për të kapur vendin e parë?
Do kemi edhe seancën e sotme (djeshme) stërvitore për të kuptuar se kush do jenë të gatshëm. Kemi rikthime nga dëmtimet dhe pezullimet në krahasim me ndeshjen me Vorën dhe uroj që ekipi të jetë sa më i plotë. Pastaj edhe vendi parë patjetër që synohet pasi siç e thashë ne duam fitoren në këtë duel.
Vllaznia e aftë për të thyer “murin” Elbasani dhe pse ju vetë të shënoni?
Nuk ka rëndësi se kush shënon aspak, ne duhet të shkojmë tek futbollisti i cili është në pozicionon më të mirë. Golat kanë njësoj vlerë për të gjithë dhe ne kemi shumë kualitete në sulm të cilët duhen shfrytëzuar. Patjetër nëse më vjen rasti do bëj më të mirën për ta dërguar në rrjetë dhe ndihmuar ekipin.
Konkurrenca është rritur, sa e vështirë është të ruash vendin në formacion?
Këtë edicion nuk ndihen mungesat, ka kualitete në çdo repart. Patjetër kjo ndihmon në rritjen e cilësisë dhe konkurrencën e shëndoshë në skuadër. Të gjithë luftojnë për t’u përmirësuar dhe askush nuk ka të sigurt asgjë, prandaj ne duhet të jemi të gjithë në dispozicion dhe të luajmë aty ku na kërkohet dhe si na kërkohet nga ana e trajnerit.
Shumë raste të shpërdoruara gjatë javëve, duhet përmirësuar ky faktor?
E rëndësishme është se ne krijojmë shumë raste, por patjetër duhet të shfrytëzohen. Ne, reparti sulmues qëndrojmë çdo ditë pas stërvitjeve me përgatitje individuale, kjo për të përmirësuar çdo gjë, çdo detaj. Në mënyrë që edhe nëse kemi 2 raste në ndeshje, t’i dërgojmë 2 herë topat në rrjetë..
Viti i katërt në Shkodër, është kjo Vllaznia më e mirë ku ke qenë pjesë?
Nuk mund të them Vllaznia më e mirë sepse edhe sezonet e shkuara kemi pasur shokë skuadre shumë cilësorë. Por, mund të them se kjo është skuadra më e plotë dhe ku çdo repart është i sigurt. Patjetër për plotësimin e ekipit kanë meritë drejtuesit e klubit që kanë plotësuar kushtet optimale.
Komente të shumta rreth Vllaznisë duke ju konsideruar si favoritë, ju kënaq kjo gjë?
Ne jemi të kënaqur, por ende s’kemi arritur asgjë. Kanë kaluar vetëm 5 javë nga kampionati dhe ende ka shumë punë dhe rrugë përpara. Prandaj të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë fort në çdo takim dhe duel.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













