Një nigerian “rrëmben” Beratin, ja sulmuesi 19-vjeçar që debutoi me 3 gola te Tomori
Debutimi i sulmuesit 19-vjeçar me origjinë nga Nigeria, Omotosho Abdulrahman Abdulsalam, ka qenë më shumë se perfekt dhe gati surprizues. Në ndeshjen e tij të parë zyrtare në kampionat me fanellën e Tomorit, nigeriani shtatlartë realizoi një tripletë, duke u kthyer menjëherë në protagonist absolut dhe duke i dhënë një gëzim të madh vetes, skuadrës dhe tifozëve beratas. 
Abdulsalam iu bashkua Tomorit gjatë merkatos së janarit, pas një ndeshjeje miqësore të zhvilluar mes Tomorit dhe Sopotit. Në përfundim të takimit, dy stafet teknike arritën marrëveshjen që sulmuesi i ri të kalonte te beratasit, të cilët ishin realisht në kërkim të një lojtari ofensiv pas largimit të Klejdon Arbërit drejt Orikut. Pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion për t’u ambientuar, nigeriani tregoi menjëherë klas dhe cilësi në sfidën ndaj Shkumbinit, duke dëshmuar se është përshtatur shumë shpejt me skuadrën e re. Ai u sinkronizua mjaft mirë me shokët e ekipit dhe ishte konstant rrezik për mbrojtjen kundërshtare. Performanca e tij është vlerësuar pozitivisht si nga stafi teknik, ashtu edhe nga sportdashësit beratas, të cilët e shohin Abdulsalam si një sulmues me të ardhme, falë cilësive dhe moshës së re që ka.
Në ditën e parë të përgatitjeve të kësaj jave, protagonisti i fazës së dytë te Tomori, por gjithmonë i thjeshtë dhe modest, ka rrëfyer për “Panorama Sport” emocionet pas tripletës së realizuar. “Më duhet ta them me shumë sinqeritet se e kam ëndërruar të debutoja me gol, por kurrsesi nuk e prisja të shënoja tre gola. Jam jashtëzakonisht i lumtur. Në një moment të tillë ishte e pamundur ta fshihja gëzimin dhe gjithçka e ndava me shokët e skuadrës në fushë, veçanërisht me trajnerin Arbëri, të cilit ia dedikoj këtë sukses, sepse besoi tek unë dhe më solli te Tomori gjatë merkatos së dimrit nga Sopoti. Falënderoj edhe drejtuesit e Sopotit që më krijuan këtë mundësi. Në Berat ndihem shumë mirë dhe po ambientohem shpejt me ekipin. Duhet të punoj edhe më fort për t’u përmirësuar. Në ndeshjen me Shkumbinin mund të kisha shënuar edhe dy gola të tjerë, por më e rëndësishmja ishte fitorja. Edhe familja ime e ka përjetuar shumë këtë sukses, më kanë përgëzuar dhe më kanë uruar vazhdimësi në shënimin e golave të tjerë në të ardhmen”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













