“Nga lavdia te kriza”, Leci shpërthen për Tomorin: Futbolli beratas në ‘vdekje klinike’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2026 | 13:43

“Nga lavdia te kriza”, Leci shpërthen për Tomorin: Futbolli beratas në ‘vdekje klinike’

Pas çdo humbjeje që pëson Tomori në këtë kampionat, skuadra dhe stafi drejtues bëhen gjithnjë e më shumë objekt kritikash dhe pakënaqësish. Reagimet nuk vijnë vetëm nga sportdashësit vendas, por edhe nga ish-figura të njohura të futbollit beratas ndër vite. Një prej tyre është edhe ish-sulmuesi i njohur i viteve ’70-’80, Filip Leci, pjesë e brezit të artë të Tomorit.

tomori

Në atë periudhë, skuadra kishte në përbërje emblema të futbollit beratas si vëllezërit Çilingiri, Kovaçi, Matrapazi, vëllezërit Kokalari, Karkanjozi, Kadëna, Bakalli, Mile, Th.Arbëri etj, të cilët e renditën ekipin mes 6 më të mirëve në vend. Sot, duke parë gjendjen aktuale të skuadrës së zemrës, Leci, i cili jeton prej më shumë se dy dekadash jashtë vendit, shpreh keqardhje të thellë për krizën që ka përfshirë futbollin beratas. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, në një nga vizitat e tij në Berat, ai u shpreh mjaft kritik. “Futbolli mbetet një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime dhe jam krenar që kam kontribuar për Tomorin në një brez të artë të viteve ’70-’80. Në atë kohë, identifikoheshim me emra të mëdhenj si Kovaçi, përkrah të cilit kam luajtur edhe unë.

filip leci tomori

Ne dhamë gjithçka për këtë skuadër dhe jemi pjesë e historisë së një qyteti që jetonte me futbollin. Por sot diferenca mes dy epokave është e madhe. Atëherë futbolli ishte pasion dhe pjesë e jetës së qytetit. Kishte mbështetje nga shteti, udhëtime jashtë vendit dhe një stadium modern, ndër më të mirët në Shqipëri. Ndërsa sot përballemi me një krizë të thellë. Dikur na respektonin ekipet më të mëdha, sot na mundin me goleada edhe skuadra të vogla. Infrastruktura është në gjendje të mjerueshme. Dikur kishte shumë fusha, sot qyteti ka vetëm një. Sa mund të mësohet noti në të thatë, aq mund të luhet futboll me një fushë apo në kalçeto. Për mua kjo është ‘vdekje klinike’ e futbollit. Beratit i duhet urgjentisht një reformë e thellë, që duhet të nisë nga strukturat drejtuese, deri te Bashkia. Nuk kuptoj pse nuk merret shembull privatizimi, siç ndodhi me Besëlidhjen këtë sezon. Duhet një analizë e gjerë dhe një organ këshillues me ish-figura të Tomorit dhe trajnerët e qytetit. Si ish-futbollistë, jemi thellësisht të zhgënjyer. Ky makth që po përjetojmë bashkë me tifozët duhet të marrë fund, për të mbrojtur historinë dhe kontributin e brezave”, përfundoi Leci.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL