Nga golashënues te Tomori në pastrues në Vlorë, drama prekëse e 19-vjeçarit nigerian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 23:27

Nga golashënues te Tomori në pastrues në Vlorë, drama prekëse e 19-vjeçarit nigerian

Një histori e dhimbshme, që ka tronditur jo vetëm opinionin sportiv në Berat, por edhe më gjerë, është ajo e sulmuesit nigerian Abdulsalam Rahman. Vetëm pak javë më parë ai festonte golat me fanellën e Tomorit dhe konsiderohej një nga lojtarët më premtues të skuadrës beratase, ndërsa sot, në moshën 19-vjeçare, është detyruar të punojë si pastrues në një resort turistik në Vlorë për të siguruar mbijetesën.

rahman tomori

Ngjarja ka ngritur shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohen futbollistët e huaj në Shqipëri, sidomos ata që vijnë nga Afrika me ëndrrën për të ndërtuar një karrierë në futbollin europian. Rahman, i cili u aktivizua vetëm në një fazë me Tomorin në sezonin e fundit, arriti të linte gjurmë me paraqitjet e tij. Me 9 golat e realizuar, ai u kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës. Pavarësisht kontributit në fushë, fundi i aventurës së tij në Berat rezultoi dramatik. Pas përfundimit të kampionatit, klubit beratas i dha futbollistit një afat 10-ditor për të liruar ambientet e stadiumit ku ai ishte akomoduar me disa afrikanë të tjerë. Në mungesë të një zgjidhjeje tjetër dhe pa mbështetje financiare, sulmuesi nigerian u detyrua të largohej nga Berati, duke mbetur praktikisht në mes të rrugës. I vetëm, larg familjes dhe vendlindjes së tij Nigerisë, Rahman vendosi të zhvendosej në Vlorë, aty ku arriti të gjente një mundësi emergjente për të mbijetuar. Për momentin, ai është punësuar si pastrues në një biznes privat, ndërsa paralelisht vazhdon të kërkojë një skuadër të re për të mos hequr dorë nga futbolli. Në një komunikim me “Panorama Sport”, futbollisti ka rrëfyer me sinqeritet situatën e vështirë që po kalon.

Mesazhi rrëqethës i 19-vjeçarit

“Jam mirë, jam në Vlorë tani. Punoj në pastrim. Dua të vazhdoj futbollin dhe këtë punë po e bëj vetëm që të kem një vend ku të fle dhe të siguroj disa para për veten time”, shprehet Rahman për gazetën. Një mesazh i shkurtër, por që përcjell dhimbje, zhgënjim dhe një realitet të ashpër për një djalë 19-vjeçar që kishte ardhur në Shqipëri me ëndrra të mëdha. Situata bëhet edhe më e rëndë kur mësohet se ambientet e stadiumit ku ai qëndronte janë aktualisht të boshatisura dhe jashtë funksionit. Kjo ka shtuar reagimet e tifozëve dhe opinionit sportiv beratas, të cilët kanë shprehur keqardhje dhe mbështetje për futbollistin afrikan.

rahman postimi

Nga heroi i skuadrës në luftë për mbijetesë

Rahman nuk ishte një lojtar anonim për Tomorin. Në pak muaj ai arriti të fitonte zemrat e tifozëve me shpejtësinë, përkushtimin dhe golat e tij. Nëntë golat e shënuara me fanellën beratase konsideroheshin një kontribut i rëndësishëm për Tomorin. Por në fund, shpërblimi për sulmuesin ishte i hidhur. Nga protagonist në fushë, ai përfundoi duke kërkuar strehim dhe punë për të mbijetuar. Pikërisht kjo histori ka sjellë reagime të shumta në opinionin sportiv, ku shumë tifozë e konsiderojnë të papranueshme mënyrën se si është trajtuar futbollisti, sidomos duke pasur parasysh moshën dhe sakrificat që ai kishte bërë për të ndjekur karrierën larg familjes së tij. Megjithatë, Rahman nuk ka ndërmend të dorëzohet. Sulmuesi ka bërë të ditur se aktualisht është në kontakte me një menaxher dhe një trajner nga Tirana për të siguruar një ekip të ri. Edhe pse emri i klubit nuk është bërë publik, 19-vjeçari ka lënë të kuptohet se synon të vazhdojë karrierën në një nivel më të lartë të futbollit shqiptar, me shpresën se periudha e vështirë që po kalon do të mbetet vetëm një kujtim i hidhur.

Rasti Rahman rikthen në kujtesë historinë e Oliverës

Historia e Rahmanit ka rikthyer në kujtesë edhe një tjetër episod të ngjashëm në Berat. Rreth 15 vite më parë, ish-sulmuesi afrikan Olivera u përball me probleme ekonomike pas përfundimit të kampionatit, duke mos pasur mundësi të kthehej në vendlindje. Në atë kohë, Olivera u detyrua të punonte si kamarier gjatë verës në biznesin e ish-presidentit të Tomorit, për të siguruar jetesën dhe akomodimin. Megjithatë, ndryshe nga rasti i Rahmanit, drejtuesit e atëhershëm të klubit nuk e penguan të qëndronte në ambientet e stadiumit. Sot, historia duket se po përsëritet, por në një formë edhe më të dhimbshme. Drama e Abdulsalam Rahman mbetet një tjetër dëshmi se futbolli nuk është gjithmonë vetëm lavdi, duartrokitje dhe gola. Për shumë të rinj që largohen nga vendet e tyre në kërkim të një ëndrre, realiteti shpesh mund të jetë brutal.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL