Nga Dukagjini te goli që vulosi kualifikimin e Dinamos kundër Hajdukut, rrëfehet 19-vjeçari Hekuran Berisha
Nga Klina e Kosovës drejt Tiranës, Hekuran Berisha po ecën me hapa të sigurt drejt ndërtimit të një karriere të suksesshme. Vetëm 19 vjeç, ai ka arritur të bëhet protagonist në arenën evropiane me Dinamo City, duke shënuar golin vendimtar në fitoren 3-1 ndaj Hajduk Splitit, një moment që do të mbetet i paharruar në historinë e tij të re si futbollist profesionist.

I rritur nën drejtimin e trajnerit Ismet Munishi te Dukagjini i Klinës dhe tashmë pjesë e skuadrës së Ilir Dajës te Dinamo City, Berisha është shndërruar në një nga emrat më premtues të futbollit shqiptar. Në një prononcim për Telegrafin, ai ndalet te momentet e karrierës, kujtimet me Munishin dhe vlerësimet e mëdha për trajnerin Ilir Daja.
“Goli kundër Hajdukut ishte vërtet një moment me shumë emocione të papërshkrueshme, të cilin nuk do ta harroj kurrë në jetën time”, tha fillimisht Berisha, duke përshkruar emocionet e para evropiane me fanellën e Dinamos.
Një pjesë të veçantë të fjalës së tij, mesfushori e rezervoi për trajnerin Ilir Daja, të cilin e cilëson si lider dhe figurë kyçe në zhvillimin e tij. “Të punosh me trajnerin Ilir Daja është vërtet krenari dhe privilegj, sepse ai është trajneri më i mirë shqiptar, me shumë trofe dhe suksese në arenën ndërkombëtare, gjë që e ka dëshmuar me vite radhazi. Ai e bashkon grupin e skuadrës si një zinxhir çeliku të pathyeshëm, si një familje e vërtetë. Për këtë më ka ndihmuar shumë në përmirësimin tim, duke më mësuar gjëra që më herët nuk i kisha, dhe jam shumë falënderues për besimin që më ka dhënë”, u shpreh ai.
Berisha nuk i harron as hapat e parë me Dukagjinin, aty ku trajneri Ismet Munishi i dha debutimin në Superligën e Kosovës. “Për trajnerin Ismet Munishi kam shumë kujtime të mira, sa që nuk mund t’i tregoj të gjitha. Ai ishte njeriu që më dha besimin e parë në fushën e blertë dhe më mësoi që duhet të punoj fort, me kokën ulur. Për këtë do t’i jem gjithmonë falënderues”, tha 19-vjeçari.
Duke parë përpara, Berisha është i vendosur që ta shfrytëzojë çdo mundësi te Dinamo City për të kontribuuar në suksesin e klubit, por edhe për të avancuar personalisht.
“Objektivat e mia për të ardhmen janë që ta ndihmoj klubin tim, Dinamo City, në objektivat që kemi si synim, të jap maksimumin dhe të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur. Suksesi nuk do të mungojë, dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë të bëj një hap edhe më të madh në karrierën time”, përfundoi ai.
Me hapa të shpejtë dhe gola vendimtarë, Hekuran Berisha po konfirmon se është një emër për të cilin futbolli shqiptar dhe kosovar do të flasë gjatë.
PANORAMASPORT.AL













