Nga dueli Partizani B- Tomori te “finalja” Sopoti-Besëlidhja dhe Naftëtari, të fundit nga Kategoria e Dytë
Partizani B e nisi keq vitin e ri, duke u mposhtur në ndeshjen e parë të fazës së dytë, në derbin ndaj Eagle. Një humbje e tillë është e pafalshme për një skuadër që ka si objektiv rikthimin në Kategorinë e Parë.

Pas këtij hapi fals, diferenca me kreun është rritur, duke e vështirësuar më shumë realizimin e synimit, megjithëse sezoni është ende i gjatë dhe ka kohë për rikuperim. Këtë të diel, në orën 13:00, në stadiumin “Arena e Demave”, të kuqtë do të presin Tomorin e Beratit, në një përballje ku fitorja konsiderohet e detyrueshme nga klubi. Çdo rezultat tjetër do të komplikonte edhe më shumë rrugëtimin e Partizanit B në fazën e dytë. Për këtë sfidë ka folur kapiteni i skuadrës, Fernando Ndrejaj, i cili ka veshur më parë fanellën e Tomorit. Ai pranon se ndeshja ka një ngarkesë emocionale të veçantë për të, por thekson se fokusi mbetet vetëm te fitorja. “Jam plotësisht i bindur se do ta fitojmë këtë ndeshje ndaj Tomorit. Kemi cilësi dhe lojtarë që mund ta rikthejnë Partizanin aty ku e meriton. Për mua është një sfidë e veçantë, sepse kam kaluar momente shumë të mira te Tomori dhe kam respekt maksimal për klubin dhe tifozërinë beratase. Por tani jemi profesionistë dhe secili jep maksimumin për ekipin ku luan”, u shpreh kapiteni i të kuqve, Fernando Ndrejaj. Partizani B synon që nga kjo ndeshje të nisë një seri pozitive rezultatesh, për të mbajtur gjallë objektivin e rikthimit në Kategorinë e Parë. A.DUSHKU

Beratasit edhe më të plotë për transfertën e kryeqytetit
Kapiteni Kumani rikthehet titullar, optimizëm te Tomori para “demave”
Rikthimi si titullar i mesfushorit të qendrës, Sali Kumani, në radhët e Tomorit është konsideruar një lajm shumë pozitiv për skuadrën beratase dhe stafin teknik të drejtuar nga trajneri Arbëri. Prania e tij i jep Tomorit një alternativë më shumë dhe po aq të besueshme për ndeshjen e radhës, atë ndaj Partizanit B në transfertën e kryeqytetit. Vlerat dhe eksperienca e Kumanit janë të njohura, ndërsa fakti që ai mban edhe shiritin e kapitenit e rrit më tej rëndësinë e rikthimit të tij. Mungesa e mesfushorit për shkak dëmtimi është ndier dukshëm në lojën e Tomorit, ndaj kthimi i tij ka rritur ndjeshëm optimizmin në skuadër, e cila synon të paraqitet sa më e konsoliduar dhe konkurruese për të marrë një rezultat pozitiv.

Gjatë seancës stërvitore të së enjtes, Kumani ka folur për “Panorama Sport”, duke mos e fshehur kënaqësinë për rikthimin pas dy javësh mungesë dhe duke theksuar vendosmërinë për të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë. Sali Kumani u shpreh: “E kam vuajtur shumë qëndrimin jashtë fushës për dy javë radhazi dhe jam shumë i kënaqur që do të rikthehem për të dhënë maksimumin, edhe me përgjegjësinë që më jep shiriti i kapitenit. Në Tiranë do të bëjmë gjithçka për të mos dalë pa pikë. E dimë që Partizani B është një kundërshtar i fortë, por ne jemi Tomori dhe duhet të luajmë gjithmonë në nivele të larta, ndaj çdo kundërshtari dhe në çdo fushë. Tomori hyn në fushë për të luajtur mirë dhe për të marrë maksimumin.” EDI SPAHIU
Lezhjanët
Besëlidhja, pa presion drejt Librazhdit
Sopoti–Besëlidhja është kryendeshja e javës së 13-të në Grupin A të Kategorisë së Dytë. Përballja vë përballë dy kryesuesit dhe pretendentët kryesorë për ngjitje, në një duel që pritet të jetë vendimtar për ecurinë e kampionatit. Besëlidhja kryeson me tri pikë më shumë se Sopoti, çka i bën lezhjanët disi më të favorizuar.Për librazhdasit, kjo ndeshje konsiderohet si një “finale”, ndërkohë, lezhjanët e kanë përjetuar këtë përballje me qetësi dhe pa presion, duke e cilësuar thjesht si një ndeshje të radhës. “Të shtunën luajmë ndeshjen e radhës ndaj Sopotit në Librazhd. Bashkë për fitoren e radhës. Forca Besëlidhja”, njofton klubi lezhjan.
Kuçovarët
Naftëtari me 4 afrime në merkato, Buçka: Synojmë pesëshen e parë
Naftëtari ka qenë mjaft aktiv gjatë merkatos së janarit, duke realizuar afrime cilësore që përbëjnë një garanci për trajnerin Eldison Kapo në përmbushjen e objektivave të skuadrës në fazën e dytë të kampionatit. Kuçovarët synojnë renditjen mes pesë skuadrave më të mira të grupit, ndërsa drejtuesit e klubit kanë punuar paralelisht edhe për rritjen e konkurrencës së brendshme në ekip. Ideja e stafit dhe e drejtuesve është që jo vetëm formacioni titullar, por edhe alternativat nga pankina të jenë në të njëjtin nivel cilësor, në mënyrë që skuadra të ketë më shumë zgjidhje gjatë ndeshjeve dhe të ruajë intensitetin deri në fund. Pak para mbylljes zyrtare të merkatos, klubi kuçovar ka zyrtarizuar edhe katër afrime. Dy prej tyre janë futbollistë të huaj nga Nigeria:
Uvandu Ikena, i ardhur nga Laçi, dhe mesfushori Nvugo Rafael, i cili bashkohet me Naftëtarin si debutues, i kontaktuar drejtpërdrejt nga klubi. Sa u përket afrimeve nga futbolli vendas, spikat qendërmbrojtësi elbasanas Gjyrkan Shehi, i ardhur nga Shkumbini, si dhe rikthimi i Lefter Salcës, një emër i njohur për tifozërinë kuçovare, i cili vjen për të kontribuar me eksperiencën e tij. Administratori i klubit, Niko Buçka, duke folur për “Panorama Sport”, ka vlerësuar afrimet si një ogur pozitiv për objektivat e Naftëtarit në gjysmën e dytë të sezonit. Administratori Niko Buçka u shpreh: “Jemi treguar aktivë gjatë merkatos së dimrit, me synimin për të përmbushur kërkesat e stafit teknik dhe për të përforcuar skuadrën për fazën e dytë. Objektivi ynë është i qartë: renditja mes pesë vendeve të para. Me organikën aktuale, pas përforcimeve të fundit, presim të kemi konkurrencë të fortë brenda grupit, që të garantojë jo vetëm rezultate pozitive, por edhe lojë të bukur për sportdashësit tanë, duke nisur që nga ndeshja e kësaj jave ndaj Luzit në shtëpi”. EDI SPAHIU
Grupi A
Java 13 7 shkurt
Të shtunën
Erzeni – Tërbuni 13:00
Sopoti – Besëlidhja 13:00
Naftëtari – Luzi 2008 13:00
Gramshi – Veleçiku 13:00
Shiroka – Adriatiku 14:30
Basania – Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Besëlidhja 11 29 9 2 0 33-4
2 Sopoti 11 26 8 2 1 28-7
3 Shiroka 11 23 7 2 2 22-9
4 Erzeni 11 20 6 2 3 15-6
5 Luzi 2008 10 15 5 0 4 16-18
6 Naftëtari 10 13 4 1 5 13-15
7 Tërbuni 10 12 3 3 4 10-11
8 Veleçiku 11 12 3 3 5 12-17
9 Gramshi 11 8 2 2 7 8-22
10 Basania 11 7 1 4 6 11-25
11 Adriatiku 11 1 0 1 10 5-41
12 Valbona 0 0 0 0 0 0-0
* (Valbona është tërhequr nga kampionati)
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java 13 8 shkurt
Të dielën
Delvina – Maliqi 13:00
Bylis B – Këlcyra 13:00
Oriku – Eagle 13:00
Partizani B – Tomori 13:00
Shkumbini – Devolli 13:00
Butrinti-Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Oriku 11 26 8 3 0 21-4
2 Butrinti 11 25 8 1 2 17-7
3 Partizani B 11 21 6 3 2 31-10
4 Bylis B 11 21 6 3 2 17-13
5 Tomori 11 14 4 2 5 15-16
6 Maliqi 10 13 4 1 5 14-13
7 Delvina 11 12 4 0 7 14-21
8 Devolli 11 12 4 0 7 14-24
9 Shkumbini 11 11 3 2 6 16-21
10 Eagle 11 11 3 2 6 14-23
11 Këlcyra 11 5 1 2 8 9-26
*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina
PANORAMASPORT.AL













