Nën urdhrat e Edlir Tetovës, Ergis Arifi kërkon ringjalljen e Teutës pretendente: Tani duhet të ndërtojmë një ekip konkurrues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2026 | 16:35

Nën urdhrat e Edlir Tetovës, Ergis Arifi kërkon ringjalljen e Teutës pretendente: Tani duhet të ndërtojmë një ekip konkurrues

Teuta kaloi një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit, duke u detyruar të luante fatin e saj në ndeshjen e “play out” ndaj Pogradecit. Durrsakët ia dolën të siguronin mbijetesën dhe të ruanin vendin në elitën e futbollit shqiptar, por sezoni që lamë pas ka lënë shumë leksione për t’u nxjerrë.

arifi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Ergis Arifi flet për emocionet e ndeshjes vendimtare, arsyet që e çuan skuadrën në atë situatë, si dhe objektivat e Teutës për sezonin e ri, ku synimi është të shmangen vuajtjet dhe të rikthehet ekipi në nivelet që i takojnë.

Ergis, Teuta arriti të sigurojë mbijetesën vetëm pas ndeshjes së “play out” ndaj Pogradecit. Si e përjetuat këtë moment?
Ishte një çlirim i madh për të gjithë ne. Kaluam një sezon me shumë vështirësi dhe nuk ishte aspak e lehtë të luaje një ndeshje që vendoste fatin e klubit. E dinim rëndësinë e përballjes me Pogradecin dhe hynim në fushë me një përgjegjësi të madhe. Në fund ia dolëm të mbanim Teutën në Superiore, që ishte gjëja më e rëndësishme.

Çfarë mendon se nuk funksionoi gjatë kampionatit që skuadra u detyrua të luante “play out”?
Mendoj se na penalizuan shumë luhatjet gjatë sezonit. Kishim ndeshje ku luanim mirë, por nuk arrinim të merrnim pikët që meritonim. Në një kampionat të fortë, çdo gabim kushton dhe ne e paguam shtrenjtë. Duhet të nxjerrim mësime nga ky sezon që të mos gjendemi më në të njëjtën situatë.

Për ju personalisht, si ishte ky sezon?
Ka qenë një sezon i rëndësishëm për rritjen time si futbollist. Kam marrë më shumë minuta dhe kam fituar eksperiencë. Gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja dhe besoj se kam ende shumë për të përmirësuar. Falënderoj trajnerët dhe shokët e skuadrës për besimin që më kanë dhënë.

Çfarë duhet të ndryshojë Teuta për sezonin e ardhshëm?
Para së gjithash duhet të kemi më shumë vazhdimësi. Teuta është një klub me histori dhe nuk duhet të luftojë për mbijetesë. Duhet të ndërtojmë një skuadër konkurruese, të punojmë fort që në përgatitjet verore dhe të hyjmë në kampionat me objektiva më të larta.

Cilat janë ambiciet e tua personale për sezonin e ri?
Dua të luaj sa më shumë, të ndihmoj ekipin me paraqitje të mira dhe të vazhdoj të rritem. Jam ende i ri dhe e di që më pret shumë punë. Objektivi im është të bëhem një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm për Teutën.

Një mesazh për tifozët e Teutës?
Dua t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë edhe në momentet më të vështira. E dimë që nuk kanë qenë të kënaqur me sezonin që lamë pas, por mund t’u premtoj se do të punojmë fort që t’i bëjmë krenarë në sezonin e ardhshëm. Teuta meriton të jetë shumë më lart në renditje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL