Ndeshja e fundit për këtë sezon në Berat, Tomori kërkon ta mbyll me nder kundër Maliqit
Për skuadrën e Tomorit, përballja e kësaj jave ndaj Maliqit ka një peshë të veçantë. Do të jetë ndeshja e fundit në shtëpi për këtë sezon dhe njëkohësisht mundësia e fundit për t’u përshëndetur me tifozët beratas me një paraqitje dinjitoze. Një kampionat i mbushur me zhgënjime dhe luhatje ka sjellë pakënaqësi të madhe në radhët e sportdashësve vendas.

Pikërisht për këtë arsye, kjo sfidë shihet si një detyrim moral për skuadrën: jo vetëm për të marrë maksimumin e pikëve, por edhe për të rikthyer sadopak besimin e humbur. Objektivi është i qartë: fitorja. Pikët janë jetike për të shmangur, në rastin më të keq, vendin e parafundit në renditje. Për këtë arsye, gjatë gjithë javës skuadra ka punuar intensivisht, me fokus jo vetëm rezultatin, por edhe paraqitjen në fushë. Tomori synon një fitore bindëse, që të reflektojë potencialin real të ekipit dhe të sjellë një mbyllje më pozitive të sezonit në shtëpi.
Besimi i mesfushorit nigerian
Optimist për këtë sfidë është shprehur edhe mesfushori nigerian, Aliju Hasan, i cili e cilëson fitoren si të domosdoshme dhe të padiskutueshme: “Kjo është ndeshja jonë e fundit në shtëpi dhe duam ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. I detyrohemi shumë tifozëve për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë sezonit. Fitorja është e domosdoshme dhe do të bëjmë maksimumin për të dhuruar një lojë të bukur dhe gola, për një mbyllje dinjitoze”. Një ndarje për të zbutur zhgënjimin Në Berat kjo ndeshje po merret shumë seriozisht, jo vetëm për rëndësinë në renditje, por edhe për vlerën simbolike që mbart. Duke qenë se në javën e fundit Tomori do të luajë në transfertë, kjo është mundësia e fundit për tifozët që të ndjekin skuadrën e tyre në shtëpi. Një fitore ndaj Maliqit do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur këtë kapitull të vështirë dhe për të zbutur sadopak zhgënjimin e një sezoni që nuk shkoi sipas pritshmërive.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













