Mungesa të shumta për shkak të vizave te Bylisi, Josa mendon edhe për test brenda skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2025 | 9:46

Mungesa të shumta për shkak të vizave te Bylisi, Josa mendon edhe për test brenda skuadrës

Bylisi zhvilloi një miqësore në Greqi ndaj Panetolikos, një prej skuadrave të elitës së futbollit helen, që përfundoi me rezultatin 0-0. Ballshiotët kishin parashikuar një sfidë të fortë për të testuar skuadrën në këtë fazë të përgatitjeve, por planet u ndryshuan për shkak të problemeve me vizat “Schengen”.

bylis

Disa prej lojtarëve kryesorë të huaj, mes tyre Kamara, Malomo, Ofori, Ibrahim dhe Peralta, nuk udhëtuan dot me ekipin, duke u detyruar të mbeten në Ballsh, ku ndoqën një program të veçantë stërvitor.

Fillimisht, Bylisi kishte planifikuar një tjetër miqësore në fundjavë, ndoshta ndaj një skuadre të Kategorisë së Parë. Megjithatë, për shkak të ngarkesës së disa ekipeve, ende nuk është marrë një vendim. Në rast se nuk gjendet kundërshtari i duhur, trajneri Mirel Josa pritet të organizojë një test të brendshëm mes ekipit të parë dhe skuadrës B, e cila tashmë është formatuar dhe po përgatitet për sezonin në Kategorinë e Dytë.

Ky duel i brendshëm do t’i shërbente Josës për të parë nga afër harmonizimin e grupit dhe përshtatjen e afrimeve të fundit në merkato, si portieri francez Zheremi, mbrojtësi Karmona dhe Koita, të prezantuar pak ditë më parë.

Në Ballsh, merkato është ende e hapur dhe drejtuesit po punojnë për afrimin e një lojtari me tipare goli, i cili mund të bëjë diferencën në fazën ofensive. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë shitjeje, pasi disa prej titullarëve kanë zgjuar interesin e skuadrave brenda dhe jashtë vendit. Klubi synon që çdo largim i mundshëm të ndodhë vetëm nëse mbërrin oferta e duhur, si për vlerën financiare ashtu edhe për të ruajtur konkurrueshmërinë e ekipit. Shumica e lojtarëve janë të rinj dhe me perspektivë, çka i bën edhe më të kërkuar në tregun e futbollit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL