Mungesa e Tsagues hap rrugën për të tjerët te Elbasani, tre lojtarë sfidë për një fanellë
Elbasani vjen më i motivuar se kurrë për të vijuar me ecurinë e rezultateve pozitive dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje.
Ekipi do ta presë Partizanin në shtëpi dhe synimi i vetëm është marrja e fitores. Situata duket e mirë, sidomos me rikthimin e kapitenit Bruno Lulaj pas pezullimit, një lojtar kyç në mbrojtje për organizimin e lojës dhe stabilitetin e ekipit. Në ndeshjen e parë verdheblutë ia kanë dalë që të marrin tri pikët në kryeqytet me golin e Bunjakut, ndaj mbetet për t’u parë në do ta vijojnë ecurinë pozitive ndaj të kuqve edhe këtë fundjavë.
MUNGESA E TSAGUE – Përpos lajmeve të mira, ka edhe të këqija për verdheblutë. Elbasani do të vuajë mungesën e sulmuesit kryesor, Blaise Tsague. Ai ka marrë katër kartonë të verdhë dhe do të bëjë një ndeshje pezullim. Ky është një moment kyç, pasi Tsague kishte arritur formën maksimale në katër ndeshjet e fundit, duke shënuar katër gola: dy ndaj Tiranës dhe nga një ndaj Egnatias dhe Dinamos, duke i dhënë skudrës shtatë pikë. Përveç shënimit të golave, Tsague ka qenë pika kryesore e referimit në sulm, duke mbajtur peshën e ekipit dhe duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës. Ai ka kontribuar në mënyrë vendimtare në organizimin e lojës sulmuese dhe në mbajtjen e topit në zona të rrezikshme. Pikërisht tani, kur arriti kulmin edhe në aspektin e shënimit, do të duhet të bëjë pushim, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në sulm.
ALTERNATIVAT – Tani është shansi i lojtarëve të tjerë të tregojnë veten. Roei Ben Shimon, izraeliti që nisi si titullar, por u dëmtua shpejt që në ndeshjen e parë dhe humbi vendin, ka mundësinë të rikuperojë dhe të tregojë aftësitë e tij në sulm, duke marrë vendin e lënë bosh dhe duke kontribuar në organizimin e lojës dhe ritmin e sulmeve. Arsen Lleshi, pas një periudhe të gjatë mungese, nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion për shkak të dominimit të Tsague, por tani mungesa e sulmuesit kryesor i jep hapësirë dhe mundësi të kontribuojë më shumë në fazën sulmuese, duke shtuar variacion dhe presion mbi mbrojtjen kundërshtare. Fatjon Bunjaku, pas periudhës së shndritshme dhe më pas rënies, tani mund të shfrytëzojë boshllëqet që krijohen nga mungesa e Tsague për të treguar veten, duke ndihmuar ekuilibrin e sulmit dhe forcimin e pranisë në zonën e rrezikshme. Me pak fjalë, mungesa e Tsaguesë është kthyer në një “asist” për këtë treshe që për 90-të minuta do të kenë mundësinë të luftojnë për një vend titullari. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë i preferuari i Gvozdenoviç për këtë ndeshje.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













