Moviola e Vora-Egnatia / Dy dyshime të mëdha, një rast për t’u diskutuar (VIDEO)
Mund të konsiderojmë 2 momente rishikimi të moviolës, ku vetëm në rastin e penalltisë u përdor monitori i fushës nga kryesori Andi Koçi.

MINUTAT e 14-18-të: Penallti për Egnatian. U deshën 4 minuta kohë për të përcaktuar një moment të dyshimtë për penallti. Kapiteni Vorës, Barjamaj tenton të ndal vrullin e Haimes të Egnatias që po futej brenda zonës e në atë moment mundohet një herë ta kap me dorë e më pas e ndal me shpinë duke hipur sipër tij. E nga pamjet duket se kishte një kontakt mes tyre. Megjithatë gjyqtari kryesor, pasi ndali lojën dhe duke qenë i pasigurt për atë ndërhyrje shkon vetë te monitori fushës duke kthyer disa herë pamjet e në fund bindet për 11-metërsh. Fillimisht para se të shkonte te monitori thërriti dy kapitenët Barjamaj të Vorës dhe Aleksi të Egnatias, duke komunikuar mbi atë moment. Penalltia ishte e saktë dhe gjyqtari veproj drejt, duke ndjekur hapat sipas radhës.
MINUTA e 55-të: Vora pretendon për penallti. Një krosim në zonë, Haime ndërhyn ndaj Kasallës në momentin, që po e godiste topin me kokë e rrëzohet brenda zonës pranë pikës së penalltisë. Pranë tyre janë edhe Poçi e Lusi Felipe, ka pretendime për penallti, por gjyqtari Koçi vijon lojën. Ka protesta nga vorakët edhe pse loja ndërpritet pas daljes së topit, gjyqtari Koçi nuk denjon ta shohë këtë moment në monitor ashtu sikurse veproi edhe në rastin e dhënies së penalltisë për Egnatian. Kontakti i Haimes me Kasallën është i dyshimtë dhe mund të ishte penallti.
PANORAMASPORT.AL













