Moriero pas barazimit: Rezultat i pamerituar, tani duam vetëm fitore
“Të jemi të bashkuar dhe ta duam Flamurtarin”. Ky është mesazhi i Françesko Morieros për skuadrën dhe tifozët. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri italian i vlonjatëve thotë se në këto momente futbollistët duhet që të mbështeten.

Moriero nuk pajtohet me barazimin me Vorën, të cilin e cilëson të pamerituar. Do të kenë dy ndeshje tejet të vështira me Egnatian dhe Dinamon, por tekniku italian thekson se kërkohet vetëm fitorja.
Moriero u ndalët në një barazim me Vorën. Mendoni se ishte një rezultat i drejtë?
Jo, aspak jo. Nuk është i drejtë. Ishte një barazim i pamerituar me Vorën.
Pse mendoni kështu?
Shikoni…Skuadra luajti vetëm për të fituar. Djemtë dhanë gjithçka në fushë. Është një moment i vështirë. E kuptoj që publiku ynë dhe djemtë e dëshironin fitoren. Unë jam i zhgënjyer sepse mendoja se do të merrnim tri pikët.
Ku gaboi Flamurtari në këtë takim?
Gabimi i parë që bëjmë, kundërshtarët na shënojnë direkt. Në ndeshjen me Vorën ekipi e mbajti mirë fushën. Djemtë dhanë 100% dhe ne duhet të fillojmë nga kjo.
Doni të thoni se ndikojnë edhe mungesat?
Është e kotë që të qajmë lojtarët që na mungojnë. Kemi shumë dëmtime patjetër. Por nuk më vjen përshtat që të gjej alibi sepse alibitë në futboll nuk ekzistojnë. Duhet të jemi edhe me fat pasi kemi pasur raste për gol. Nuk arritëm të fitonim, nuk kemi çfarë të bëjmë, tani duhet të shikojmë përpara.
Do të jetë javë e ngjeshur… Luani me Egnatian dhe pastaj me Dinamon. Çfarë prisni?
Është e vërtetë që të gjitha ndeshjet janë të vështira. Po ne futemi në fushë vetëm për të fituar. Të shpresojmë që të na vijnë fitoret, pasi këta djem janë shtrënguar dhe kanë sakrifikuar që ditën e parë që unë kam ardhur këtu.
Keni një mesazh për ekipin, për tifozët?
Të jemi të bashkuar dhe ta duam Flamurtarin. Ti mbështesim dhe tu japim kurajë këtyre djemve në këto momente që janë në vështirësi sepse nuk po e gjejnë dot fitoren. Tifozët i falënderoj shumë për mbështetjen e deri tanishme dhe u them të vazhdojnë të jenë pranë nesh në këtë situatë të vështirë. Vetëm së bashku do t´ia dalim.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













