Mesfushori qëndron te Flamurtari, e vendos trajneri Garsia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2025 | 9:58

Mesfushori qëndron te Flamurtari, e vendos trajneri Garsia

Flamurtari, akord me Bangali Diavara. Mesfushori i qendrës nga Bregu i Fildishtë ka rinovuar kontratën dhe është vendosur në urdhrat e trajnerit, Karlos Garsia.

flamurtari

Ka qenë vetë trajneri spanjoll që ka dhënë aprovimin për 22-vjeçarin, pasi ka parë edhe disa video nga paraqitjet e tij sezonin e shkuar në Vlorë. Pasi është bindur, tekniku ka vendosur që ta marrë në skuadër. Diavara erdhi vitin e kaluar në Vlorë në momentet e fundit të merkatos, por mesfushori tregoi cilësitë e tij duke ndihmuar skuadrën.

Mesfushori i qendrës nga Bregu i Fildishtë u prezantua si futbollist i Flamurtarit më 30 gusht 2024, ndërsa te kuqezinjtë erdhi pas eksperiencës te Ballkani i Kosovës për një sezon. 22-vjeçari ka pasur eksperiencë edhe në Itali te Sasuolo Primavera, si dhe në Francë tek Olimpik Saint-Kuentin. Mesfushori është ambientuar në Vlorë dhe pasi dha kontributin e tij për ngjitjen e skuadrës, tashmë do të provojë një aventurë për herë të parë edhe në Superligën shqiptare.

FAZA PËRGATITORE – Flamurtari, “shtrydhje” jo vetëm në fushën stërvitore, por edhe në palestër. Dje, përgatitësi atletik, Animal Gonzales, ka zhvilluar një seancë të plotë, por edhe shumë të ngarkuar me ushtrime fizike dhe force. Gonzales ilustronte gjithçka, duke iu nënshtruar edhe vetë ushtrimeve dhe futbollistët e ndiqnin. Prej të gjithëve ka marrë maksimumin. Stërvitja është organizuar në një atmosferë familjare ku nuk mungonin as batutat. Shumë aktivë janë shfa1ur edhe blerjet më të fundit, Hoze Rodrigez, Kristian Nunez dhe Dimitros Çantakias. Pasdite radha i ka ardhur një tjetër seance stërvitore në Pyllin e Sodës, ku ekipi u vendos nën drejtimin e trajnerit Garsia dhe stafit të tij teknik. Skuadra do të stërvitet edhe tri ditë në Vlorë dhe të hënën niset drejt Turqisë për të vijuar fazën përgatitore për rreth tri javë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL