Me mbylljen e sezonit nisin likuidimet te Tomori, lojtarët afrikanë janë të parët në radhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 13:33

Me mbylljen e sezonit nisin likuidimet te Tomori, lojtarët afrikanë janë të parët në radhë

Skuadra e Tomorit e ka përfunduar zyrtarisht sezonin 2025-2026 në Kategorinë e Dytë, ndërsa bashkë me mbylljen e kampionatit kanë përfunduar edhe kontratat e lojtarëve, duke çuar në nisjen e fazës së pushimeve për skuadrën beratase. 

tomori

Ashtu si në sezonin e kaluar, periudha e pushimit pritet të jetë e gjatë, nëse nuk do të ketë zhvillime të reja në klub sa i përket ndryshimeve të pritshme në skuadër apo organizim. Në këto ditë të para pas përfundimit të sezonit, klubi ka nisur edhe procesin e likuidimit të pagës së fundit mujore për futbollistët. Megjithatë, pagesa është kryer vetëm pjesërisht dhe jo për të gjithë ekipin. Prioritet në këtë fazë u është dhënë futbollistëve të huaj, kryesisht afrikanë, të cilët janë të akomoduar pranë ambienteve të stadiumit.

Me marrjen e pagës së fundit, atyre u është krijuar mundësia të rikthehen në vendet e tyre të origjinës. Sipas informacionit të siguruar, procesi i largimit do të kryhet gradualisht, pasi një pjesë e lojtarëve afrikanë pritet të qëndrojë ende në Berat, duke u vetëfinancuar përkohësisht dhe duke vijuar qëndrimin në ambientet e klubit. Pavarësisht situatës, një pjesë e tyre mbetet e interesuar për të ardhmen e Tomorit dhe e konsideron skuadrën beratase si një opsion prioritar për sezonin e ardhshëm, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit ose vazhdimit të bashkëpunimit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL