Martini i kënaqur te Vllaznia, por paralajmëron: Vendin në fushë le ta fitojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2025 | 20:58

Martini i kënaqur te Vllaznia, por paralajmëron: Vendin në fushë le ta fitojnë

Pavarësisht humbjes në shifrat 1-0 në miqësoren ndaj Deçiçit, te Vllaznia janë totalisht të qetë përsa i përket skuadrës.martiniKuqeblutë nuk e kanë shikuar aspak si primar rezultatin e një miqësoreje vere, por vetëm nivelin dhe qasjen e ekipit para nisjes së sezonit të ri. Nivel që ka lënë shumë të kënaqur trajnerin Martini, i cili edhe në prononcimin për mediat pas duelit me tuzianët u shpreh me elozhe për 9 herë kampionët e vendit, duke theksuar se kjo ishte ajo çfarë dëshironte nga skuadra dhe se futbollistët po vijnë çdo ditë në rritje graduale. Kjo gjë patjetër mbush me optimizëm kampin shkodran, që tashmë po përgatitet edhe për ndeshjen e Conference League, ku synimi kryesor është kalimi i turit të parë përballë letonezëve të Daugavpils.

“Djemtë kanë bërë një superndeshje dhe me thënë të drejtën nuk e kam pritur një paraqitje të tillë pavarësisht se disa lojtarë nuk kanë gjendjen e tyre optimale. E alternova formacionin dhe lojtarët u përgjigjën shumë mirë sidomos me ndryshimin e skemës, sepse luajtëm në presing dhe e dominuam totalisht ndeshjen dhe mendoj se rezultati nuk ka fare rëndësi në këtë rast. Të dyja pjesët e lojës kanë të mirat e veta. E para ishte ashtu si unë e kisha kërkuar, në mënyrën më perfekte të mundshme. Edhe e dyta ishte e mirë pavarësisht se i lëshuam terren vetë kundërshtarit, sepse donim ta godisnim me kundërsulm. E përsëris, jam i kënaqur dhe vetëm disa lojtarë duhet të rrisin formën e tyre, por me 90 për qind të grupit jam mëse i kënaqur. Mund te them se aktualisht askush nuk e ka vendin e sigurtë në formacion dhe kur të vijë dita e ndeshjes, do të luajnë ata lojtarë që do të kenë gjendjen më të mirë. Synimi ynë i momentit është të kalojmë turin e parë në Europë dhe prandaj duam t’i kemi lojtarët në gjendje sa më të mirë”, është shprehur ai.

PANORAMASPORT.AL