Luhen 90 minutat e fundit në Kategorinë e Dytë. Ja çfarë po ndodh te Tomori, Tërbuni dhe Naftëtari
Tomori shpëton nga turpi, Berati me sytë nga një rilindje e madhe. Fitorja ndaj Maliqit shënoi fundin e një makthi për Tomorin, një sezon i mbushur me luhatje të forta dhe pasiguri të vazhdueshme për mbijetesën. Beratasit, gjatë gjithë kampionatit, kanë jetuar mes ankthit dhe dilemave, teksa hija e rënies në kategori ka qenë gjithmonë prezente.

Madje, edhe në ndeshjen e fundit ndaj Maliqit, frika u rikthye për disa minuta. Pasi Tomori kaloi në avantazh, skuadra mike arriti të përmbysë përkohësisht rezultatin, duke sjellë reagimin e ashpër të tifozërisë vendase. Megjithatë, reagimi i skuadrës ishte i menjëhershëm, duke rikthyer baraspeshën dhe qetësinë në stadium. Në një përballje ku kundërshtari nuk kishte objektiva, Tomori arriti ta mbyllë ndeshjen me fitore, madje duke dhuruar edhe spektakël me gola, në atë që ishte prezantimi i fundit në shtëpi për këtë sezon. Tashmë në Berat kanë nisur të marrin frymë më të qetë. Edhe pse matematikisht skuadra është ende në lojë për vendin e pestë një javë para fundit, askush nuk beson më tek një mrekulli. Ky objektiv shihet si një ëndërr e mbetur në sirtar, që shoqëroi skuadrën dhe tifozërinë gjatë fazës së dytë të kampionatit.
Vëmendja është zhvendosur tashmë tek e ardhmja, ku priten ndryshime të rëndësishme për të rikthyer Tomorin në nivelet që i takojnë historisë së tij. Sulmuesi me eksperiencë, Daniel Lirëza, i rikthyer nga dëmtimi dhe i aktivizuar pjesërisht në këtë sfidë, u shpreh për “Panorama Sport”: “Për një moment, kur Maliqi po kryesonte, isha gati të hyja në fushë dhe të sakrifikoja për skuadrën edhe pa lejen e stafit mjekësor. Për fat, barazimi erdhi shpejt dhe u aktivizova në pjesën e dytë. Kjo fitore është një dedikim për tifozët tanë, të cilëve u jemi borxhlinj për mbështetjen gjatë gjithë sezonit. Ata kanë vuajtur bashkë me ne për rezultatet negative. Shpresojmë që sezonin e ardhshëm gjërat të jenë ndryshe dhe të rikthejmë Tomorin e traditës”. EDI SPAHIU
Tërbuni një hap larg “play off”-it, Karaj premton gola dhe ngjitjen
Tërbuni mori një fitore të merituar në shtëpi ndaj Naftëtarit, sukses që e afron ndjeshëm me sigurimin e një vendi në “play-off”. Skuadra pukjane tashmë e ka fatin në dorë dhe në javën e fundit do të luajë në transfertë ndaj Basanias, një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht për të ruajtur vendin e pestë. Praktikisht, Tërbuni është shumë pranë arritjes së objektivit, duke synuar që përmes “play-off”-it të sigurojë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Një arritje e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh se pak kush e kishte menduar se kjo skuadër do të qëndronte për tre sezone radhazi në Kategorinë e Dytë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Amarildo Karaj, golashënuesi më i mirë i ekipit me 6 gola, u shpreh i kënaqur për fitoren ndaj Naftëtarit:
“Jam i lumtur që shënova në ndeshjen me Naftëtarin dhe ndihmova ekipin të marrë tre pikë shumë të rëndësishme. Në pjesën e parë kundërshtari na vuri në vështirësi në disa momente, por merita shkon për portierin Marku, i cili na shpëtoi në disa raste vendimtare. Mund të them me bindje se Tërbuni ka një portier që garanton shumë siguri. Pjesa e dytë foli më shumë për ne, krijuam disa mundësi dhe arritëm të menaxhojmë mirë lojën. E rëndësishme ishte fitorja dhe e arritëm. Tani jemi të fokusuar te ndeshja me Basanian, ku duhet patjetër të marrim tre pikët. Në ‘play-off’ na presin tre finale. Nëse kalojmë dy të parat, besoj se edhe të fundit mund ta fitojmë. Shpresoj të shënoj në të tria ndeshjet dhe të realizojmë ëndrrën e madhe për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë”, tha Karaj. Gani Pema
Trajneri Kapo analizon disfatën e fundit ndaj Tërbunit
Naftëtari dorëzon fatin e vendit të pestë, humbja në Pukë u hoqi avantazhin
Humbja në Pukë ka rezultuar fatale për Naftëtarin, që tashmë ka zbritur nga vendi i pestë dhe nuk e ka më në dorë realizimin e objektivit sezonal. Kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i fazës së dytë, skuadra kuçovare është e detyruar të presë një hap fals të rivalit direkt, Tërbunit. Pas përballjes së fundit, renditja pësoi një rokadë mes dy skuadrave, duke e kaluar Tërbunin në avantazh. Tashmë gjithçka varet nga pukjanët, të cilët në javën e fundit përballen me një kundërshtar më modest në letër, ndërsa në Kuçovë shpresat për vendin e pestë janë zbehur ndjeshëm. Trajneri i Naftëtarit, Eldison Kapo, analizoi për “Panorama Sport” humbjen ndaj Tërbunit, duke u shprehur realist për paraqitjen e skuadrës së tij: “Ndeshja në Pukë, në përgjithësi, ka qenë e mirë nga ana jonë.
U përpoqëm vazhdimisht për të marrë një rezultat pozitiv dhe krijuam disa raste për shënim, por për fat të keq nuk arritëm t’i konkretizonim. Ndryshe nga ne, kundërshtari shfrytëzoi një rast të vetëm, që erdhi pas një gabimi individual në mbrojtje, dhe kjo i mjaftoi për të fituar. Mendoj se Naftëtari meritonte më shumë nga kjo ndeshje”. Në këtë sfidë vendimtare, Naftëtari u paraqit edhe me mungesa të rëndësishme në formacion, ku tre titullarë nuk ishin të disponueshëm. Këto mungesa ndikuan ndjeshëm në një nga ndeshjet më delikate të sezonit, nga e cila varej shumë për realizimin e objektivit për një vend në “play off”. Tashmë, për Naftëtarin mbetet vetëm të bëjë detyrën në javën e fundit dhe të shpresojë për një gabim të Tërbunit, edhe pse realiteti duket se e ka larguar ndjeshëm skuadrën kuçovare nga vendi i pestë. EDI SPAHIU
Grupi A
Java 22, 18 prill
Veleçiku – Erzeni
Sopoti – Gramshi
Basania – Tërbuni
Naftëtari – Besëlidhja
Adriatiku – Luzi 2008
Shirkoka- Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Besëlidhja 19 51 16 3 0 59-7
2 Sopoti 19 45 14 3 2 42-13
3 Shiroka 20 41 13 2 5 44-17
4 Erzeni 19 31 9 4 6 20-13
5 Tërbuni 19 26 7 5 7 19-22
6 Naftëtari 19 24 7 3 9 23-23
7 Luzi 2008 19 24 8 0 11 29-33
8 Gramshi 19 23 6 5 8 27-31
9 Veleçiku 19 22 6 4 9 31-34
10 Basania 19 10 2 4 13 20-46
11 Adriatiku 19 1 0 1 18 7-82
12 Valbona 0 0 0 0 0 0-0
* (Valbona është tërhequr nga kampionati)
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java 22, 19 prill
Oriku – Butrinti
Partizani B – Këlcyra
Shkumbini – Eagle Football
Delvina – Tomori
Maliqi – Devolli
Bylis B – Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Butrinti 19 44 14 2 3 35-13
2 Oriku 19 43 13 4 1 37-10
3 Bylis B 20 41 12 5 3 34-19
4 Partizani B 19 36 11 3 5 43-20
5 Maliqi 19 22 6 4 9 26-33
6 Tomori 19 21 6 3 10 26-31
7 Devolli 19 21 6 3 10 23-43
8 Delvina 19 19 6 1 12 25-37
9 Eagle 19 19 4 7 8 25-36
10 Këlcyra 19 16 4 4 11 20-40
11 Shkumbini 19 13 3 4 12 21-33
*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina
PANORAMASPORT.AL













