Luftëtari në krizë drejtimi, por ka diçka që mbetet model në Gjirokastër
Luftëtari ndodhet në një situatë të paqartë pas humbjes së fundit në javën përmbyllëse të fazës së parë, ku bluzinjtë u mposhtën 3-1 nga Kastrioti në Fushë-Krujë. Pas kësaj disfate, klubi u përfshi nga një “furtunë” shkarkimesh, duke nisur nga administratori Fotis Kristidhi e deri te stafi teknik, me trajnerin Besmir Shabani në krye.

Edhe pse ka kaluar pothuajse një javë nga momenti i largimeve, në Gjirokastër ende nuk është vendosur për emrat e rinj që do të marrin drejtimin e skuadrës. Aktualisht, ekipi po përgatitet nën drejtimin e Arbër Bistrit, i cili nga trajner i Luftëtari U-17 ka kaluar të zëvendësojë administratorin e larguar dhe njëkohësisht po kryen detyrën e trajnerit të parë. Ndërsa aspekti sportiv dhe organizativ mbetet i turbullt, klubi gjirokastrit ka një arsye për t’u ndier krenar: gjendjen e fushës së stadiumit.
Pas ndërhyrjeve të kryera së fundmi, terreni paraqitet në gjendje optimale, duke u krahasuar me një qilim të gjelbër. Në këtë situatë ndihmon edhe kalendari, pasi dy ndeshjet e radhës zhvillohen në transfertë. Në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, Luftëtari do të përballet me Laçin jashtë fushe, ndërsa fazën e dytë të kampionatit e nisin sërish në transfertë, këtë herë në Peshkopi ndaj Korabit.
PANORAMASPORT.AL













