Kërkesa e tifozëve të Tomorit për bashkinë, një murale për legjendat e futbollit beratas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 12:59

Kërkesa e tifozëve të Tomorit për bashkinë, një murale për legjendat e futbollit beratas

Një grup tifozësh beratas i kanë bërë thirrje Bashkisë së Beratit që të përjetësojë figurat historike të Tomorit përmes një muraleje në qendër të qytetit ose në ambiente të përshtatshme të stadiumit. Sipas tyre, shumë nga emrat që kanë shkruar historinë 103-vjeçare të klubit janë lënë në harresë.

LEGJENDAT E TOMORIT

Kjo gjë po shkon paralelisht edhe me ecurinë e klubit dhe zhvillimit e futbollit në qytetin e Beratit. Iniciativa është ndërmarrë nga tifozë të vjetër të Tomorit, me në krye Rajmond Koprënckën, një nga figurat më të njohura të tifozerisë beratas. Ai thekson se qëllimi është nderimi i ish-yjeve që kanë kontribuar ndër vite për futbollin e qytetit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Koprëncka deklaroi: “Kemi marrë këtë nismë për t’i kërkuar Bashkisë Berat të nderojë yjet e Tomorit me një murale dinjitoze. Futbolli në Berat ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së qytetit dhe figurat që kanë bërë historinë nuk duhen lënë në heshtje.

Një murale në qendër të qytetit ose në tribunën kryesore të stadiumit do të ishte respekt për ata që nuk jetojnë më dhe për ata që janë ende mes nesh, pasi e kanë nderur fanellën e Tomorit”. Sipas tifozëve, projekti do të shërbente edhe si një urë kujtese për brezat e rinj, të cilët sot njohin pak nga historia e klubit. Madje do të shiheshin edhe si burim frymëzimi si për brezin e ri, por edhe për skuadrën dhe drejtuesit aktual. Tifozët presin që Bashkia Berat të reagojë dhe të marrë në konsideratë propozimin për të nderuar ikonat e futbollit beratas.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT