Kategoria II/ Sopoti s’dorëzohet, Zena premton ngjitjen nga “play off”-i. Rahman shpërthen me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2026 | 15:23

Kategoria II/ Sopoti s’dorëzohet, Zena premton ngjitjen nga “play off”-i. Rahman shpërthen me Tomorin

Sopoti ka qenë një nga skuadrat më konkurruese në Grupin A të Kategorisë së Dytë, duke ndjekur hap pas hapi Besëlidhjen në garën për vendin e parë. Megjithatë, fati shpesh nuk ka qenë në anën e Sopotit, ndërsa në disa raste kanë kontestuar edhe gjykimet.

zena sopoti

Madje, pak ditë më parë, klubi reagoi ashpër duke shpallur “non grata” dy gjyqtarë. Pavarësisht pengesave, Sopoti nuk heq dorë nga objektivi për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Skuadra ka siguruar tashmë vendin e dytë dhe, rrjedhimisht, një vend në fazën “play off”, ndërsa ndeshja e fundit ndaj Gramshit mbetet vetëm për statistikë. Me shumë gjasa, në përballjen e parë të “play off”-it, Sopoti do të ndeshet me Tërbunin e vendit të pestë, për të vijuar më pas rrugëtimin drejt finales dhe mundësisë për t’u përballur me një ekip të Kategorisë së Parë.

Edhe pse rruga është më e gjatë, besimi në kampin librazhdas mbetet i lartë. Sulmuesi 21-vjeçar, Marius Zena, i ardhur nga Tirana, ka dhënë një mesazh të qartë për vijimësinë e sezonit. “Edhe pse nuk arritëm ngjitjen direkte, misioni ynë për Kategorinë e Parë vazhdon. Kemi qenë shumë pranë vendit të parë dhe në disa raste jemi ndjerë të dëmtuar nga gjykimet. Megjithatë, nuk dorëzohemi. Do të luftojmë deri në fund në ‘play off’, duke i bërë ‘hyzmetin’ këtij objektivi. Unë do t’i qëndroj besnik kësaj skuadre, edhe pse kam pasur interesime nga klube të Kategorisë së Parë. Ne do të vazhdojmë më të fortë në ndeshjet që na presin. Forca Sopoti”, u shpreh Zena për “Panorama Sport”.  ABDULLA DUSHKU

 

Sulmuesi nigerian

Rahman shpërthen me Tomorin, një gol larg kuotës dyshifrore

Sulmuesi nigerian Abdulsalam Rahman po kalon një moment fantastik me Tomorin në fazën e dytë të sezonit. 19-vjeçari ka befasuar me paraqitjet e tij, duke u shndërruar në pikën kryesore të repartit ofensiv dhe aktualisht është golashënuesi më i mirë i skuadrës. Pas dopietës në fitoren ndaj Maliqit, Rahman është ngjitur në kuotën e 9 golave, një shifër mbresëlënëse duke pasur parasysh se është aktivizuar vetëm në gjysmën e ndeshjeve të kampionatit. Madje, statistikat mund të ishin edhe më të larta, pasi ka humbur disa raste të pastra për shënim.

rahman abdulsalam tomori

Paraqitja e tij e fundit u vlerësua maksimalisht edhe nga tifozët beratas, të cilët e përcollën me duartrokitje në momentin e zëvendësimit, një moment i veçantë për sulmuesin e ri. Rahman nuk e fsheh kënaqësinë për formën e tij dhe ambientimin te skuadra, ndërsa synon ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë: “Jam shumë i lumtur për ecurinë time dhe i jam mirënjohës skuadrës dhe trajnerit. Po punoj fort për t’u përmirësuar, sidomos në finalizim, sepse mund të kisha edhe më shumë gola. Dy golat ndaj Maliqit dhe mbështetja e tifozëve më kanë dhënë shumë motivim. Në ndeshjen e fundit ndaj Delvinës do të bëj maksimumin për të shënuar sërish dhe për të arritur kuotën dyshifrore të golave”, u shpreh sulmuesi për “Panorama Sport”. Me vetëm një javë nga fundi i kampionatit, Rahman është shumë pranë një objektivi personal të rëndësishëm, ndërsa forma e tij mbetet një nga pikat më të ndritura të Tomorit në këtë sezon. EDI SPAHIU

PANORAMSPORT.AL