Kategoria e Dytë/ Tomori për mbijetesë, në Ballsh për rezultat pozitiv. Naftëtari premton spektakël ndaj Shirokës
Të ndërgjegjshëm për kalendarin shumë të vështirë që kanë përpara, te Tomori llogaritë nuk bëhen vetëm për mbijetesën, por edhe për të ruajtur imazhin e një klubi me histori 103-vjeçare. Çdo ndeshje e mbetur deri në fund të sezonit konsiderohet vendimtare për beratasit.

Gjatë kësaj jave, drejtuesit dhe stafi teknik i Tomorit kanë punuar me detaje për përgatitjen e sfidës së radhës në transfertë ndaj Bylis B në Ballsh. Programimi i ndeshjes është analizuar në çdo aspekt, duke nisur nga organizimi taktik në fushë deri te menaxhimi i situatave të veçanta të lojës, me synimin për të arritur një rezultat pozitiv. Për këtë përballje delikate, mesfushori nigerian i Tomorit, Aliju Kavu Hasan, është shprehur për “Panorama Sport”:
“Realisht kemi një ndeshje shumë të vështirë këtë fundjavë në Ballsh dhe kjo na ka shtyrë të përgatitemi edhe më mirë gjatë javës. Është një sfidë sa delikate, aq edhe e mundshme për një skuadër si Tomori që të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë. Ne do të japim maksimumin për të marrë një nga dy rezultatet pozitive në dispozicion. Me përbërjen që kemi, mendoj se gjithçka është e mundur për të arritur një rezultat pozitiv”. Në kampin beratas ka bindje se me përqendrim, disiplinë dhe shpirt gare, skuadra mund të përballojë këtë transfertë të vështirë. Sfida në Ballsh shihet si një provë karakteri për Tomorin, që kërkon të reagojë dhe të mbajë gjallë shpresat për një fundsezoni dinjitoz. EDI SPAHIU
Naftëtari
Bani premton spektakël dhe fitore ndaj Shirokës
Sfida e kësaj fundjave në Kuçovë premton spektakël dhe rivalitet. Naftëtari do të presë në stadiumin “Bashkim Sulejmani” skuadrën pretendente të Shirokës, në një duel që ka zgjuar interesim të madh në opinionin sportdashës të qytetit naftëtar. Në shkallët e stadiumit pritet një numër i lartë tifozësh, teksa atmosfera paralajmërohet elektrizuese. Nga ana e tyre, kuçovarët kanë zhvilluar një javë përgatitore intensive, duke e vendosur gjithë fokusin te objektivi i vetëm, fitorja në shtëpi. Një nga protagonistët e skuadrës së drejtuar nga Eldison Kapo është mesfushori beratas Llambi Bani.

Ai po konfirmohet ndeshje pas ndeshjeje si një nga elementët më përcaktues të Naftëtarit, jo vetëm për rolin taktik në mesfushë, por edhe për kontributin me gola, si në fitoren e fundit ndaj Adriatiku. Bani, i cili përflitet se mund të transferohet verën e ardhshme në futbollin iberik, ka dhënë sinjale të qarta për ambiciet e skuadrës në prag të kësaj përballjeje: “Kemi përpara një takim shumë të rëndësishëm, për vetë vlerat dhe pretendimet që kanë të dyja skuadrat. Interesimi është maksimal dhe kjo e bën ndeshjen edhe më të bukur. Por jam i bindur se Naftëtari, si skuadër pritëse, është favorite për fitoren. Ne jemi të vendosur të arrijmë fitoren e tretë radhazi dhe të tregojmë se jemi në momentin tonë më të mirë sa i përket formës sportive”. Naftëtari synon të konfirmojë rritjen e formës dhe të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivave sezonalë, ndërsa Shiroka kërkon të ruajë statusin e pretendentes. Kuçova përgatitet për një duel që premton emocione deri në fund.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













