Kategoria e Dytë “rindez motorët” për fazën e dytë, lajme shkurt nga Tomori, Naftëtari, Tërbuni dhe Sopoti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2026 | 11:08

Kategoria e Dytë “rindez motorët” për fazën e dytë, lajme shkurt nga Tomori, Naftëtari, Tërbuni dhe Sopoti

Tomori ka nisur këtë fillimjavë përgatitjet për javën e parë të fazës së dytë, teksa në fundjavë do të presë në shtëpi Shkumbinin, në një sfidë që në Berat po pritet me interes të madh. Pas një faze të parë me luhatje në lojë dhe rezultate, skuadra ka pësuar ndryshime të rëndësishme në të gjitha repartet, çka ka rritur ndjeshëm optimizmin për fazën e dytë dhe një ngjitje të mundshme në renditje.

kat dyt

Besimin te kjo kthesë e ka shprehur për “Panorama Sport” edhe ish-futbollisti veteran beratas, 85-vjeçari Jani Pjetri, i cili ndjek rregullisht skuadrën në stërvitje dhe ndeshje. “Paraqitja e fazës së parë la për të dëshiruar dhe me të drejtë na ka pezmatuar si ish-futbollistë dhe sportdashës. Kemi lënë shumë pikë për shkak të dobësive në administrimin e lojës dhe rezultateve, edhe pse trajneri Arbëri u dha hapësirë futbollistëve të rinj”, u shpreh Pjetri.

jani pjetri tomori

Ai thekson se faza e dytë pritet të sjellë një Tomor tjetër: “Kam shumë besim se faza e dytë do të ketë një tjetër pamje për Tomorin. Puna profesionale e dyshes Arbëri–Gjata dhe përforcimet në çdo repart janë një garanci e madhe për përmirësim në lojë, rezultate dhe renditje, duke pasur mundësi reale për t’u renditur në pesë vendet e para. Duke nisur nga sfida me Shkumbinin, besoj se do të rikthehemi te fitorja me lojë të bukur dhe rezultat bindës. Ky do të jetë sinjali i parë i transformimit të Tomorit”.

EDI SPAHIU

 

Kuçovarët

Surpriza, testi gjeneral i Naftëtarit ndalet nga errësira

 

Fundjavën e kaluar, Naftëtari mbylli minifazën përgatitore duke programuar edhe një ndeshje miqësore, e cila do të shërbente si test gjeneral përpara rifillimit të kampionatit. Për fat të mirë të skuadrës kuçovare, kampionati do të nisë në javën e dytë, për shkak të pushimit të detyruar në kalendar, duke i dhënë më shumë kohë ekipit për t’u përgatitur. Megjithatë, testi i fundit, i konsideruar shumë i rëndësishëm, ka lënë jo pak të habitur sportdashësit kuçovarë. Ndryshe nga sa pritej që kjo miqësore të zhvillohej në Kuçovë, aq më tepër duke qenë se rifillimi i fazës së dytë e gjen Naftëtarin si skuadër pritëse, drejtuesit vendosën që ndeshja të luhej në kryeqytet, përballë Luzit 2008. Për koincidencë, kjo është skuadra kundërshtare me të cilën Naftëtari do të rinisë edhe kampionatin. Por surprizat nuk kanë munguar as këtu. Duke zgjedhur të luhet në fushën e Alliasit, të dyja skuadrat u detyruan të nisin takimin me vonesë, pasi fusha ishte e zënë nga një tjetër ndeshje miqësore.

Si pasojë, Luzi 2008 dhe Naftëtari arritën të zhvillonin vetëm një pjesë të parë normale, ndërsa pak pasi kishte nisur pjesa e dytë, takimi u ndërpre për shkak të mungesës së ndriçimit natyral. Të ndodhur përpara pamundësisë për të vijuar ndeshjen në kushtet e errësirës së plotë, drejtuesit e të dyja skuadrave vendosën të ndërpresin takimin, i cili në atë moment kryesohej nga Luzi 2008 me rezultatin 1-0. Në Kuçovë, përveç habisë për zhvillimin e miqësores në Tiranë dhe përfundimin e saj të parakohshëm, është vënë re edhe një tjetër detaj i pazakontë. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e mëparshme, që nga vera e deri më tani kanë munguar ndeshjet miqësore mes Naftëtarit dhe fqinjëve të Tomorit, si në Kuçovë, ashtu edhe në Berat. EDI SPAHIU

 

Pukjanët

Tërbuni mbyll fazën me fitore ndaj Bylisit B

Tërbuni zhvilloi ndeshjen e katërt miqësore, ku mundi Bylisin B me rezultatin 2-1. Ekipi u paraqit mirë kundër një rivali që në përbërje kishte përfshirë 6 lojtarë të Superiores, duke treguar nivel të barabartë. Ky takim shërbeu si test për lojtarët e rinj të afruar gjatë merkatos dhe vjen në prag të ndeshjes zyrtare për fazën e dytë ndaj ekipit të Sopotit, ku Tërbuni synon patjetër një rezultat pozitiv.

terbuni bylis b

Nga ana tjetër, skuadra ka humbur tre lojtarë kryesorë. Deliu është transferuar në Ballsh, ndërsa nigeriani Boni është larguar përfundimisht nga klubi. Mesfushori 21-vjeçar Zabala, i cili konsiderohej ndër më të mirët e ekipit, ka kaluar te Vllaznia. Priten afrime të tjera në ekip gjatë kësaj jave, ndërsa administrata ka rregulluar gjithashtu çështjet financiare. Ekipi është në rregull edhe në aspektin financiar dhe gjithçka duket gati për startin e fazës së dytë. GANI PEMA

 

Merkatoja

Librazhdasit “të dashururar” me nigerianët, Sopoti gati për startin

 

Te Sopoti merkatoja konsiderohet e mbyllur. Afrimet e kryera gjatë muajit janar kanë nënshkruar kontratat, janë federuar dhe janë gati për t’u aktivizuar që në javën e parë të fazës së dytë të kampionatit. Pas Serxho Tabakut, i cili ishte ndër afrimet e para, drejtori teknik Fatjon Xhafa ka përforcuar skuadrën edhe me dy futbollistë nigerianë.

Bëhet fjalë për Ahmad Tofik, 20 vjeç, dhe Thomas Idris, 19 vjeç, të cilët luajnë në repartin ofensiv. Të dy afrikanët kanë lënë përshtypje pozitive në ndeshjet miqësore ku janë aktivizuar, duke treguar potencial dhe alternativa të reja për vijën e sulmit. Reparti ofensiv ishte ai që kishte më shumë nevojë për ndërhyrje dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit e përqendruan vëmendjen pikërisht në përforcimin e sulmit. Për të ruajtur balancat financiare, drejtuesit librazhdas janë detyruar të lirojnë sulmuesin elbasanas Denis Mici, duke mbyllur kështu përfundimisht merkaton dimërore.

Tashmë Sopoti është i përqendruar te sfida e radhës ndaj Tërbunit, në një moment të sezonit ku çdo hap fals mund të rezultojë vendimtar. Kampionati ka hyrë në një fazë delikate, ku pretendentëve nuk u falen gabimet dhe çdo ndeshje trajtohet si një finale. Me këtë frymë po përgatiten edhe të besuarit e trajnerit Rraman Hallaçi, të cilët, pavarësisht vështirësive, shohin përpara me besim, me synimin për ta nisur fazën e dytë ashtu si mbyllën të parën, me fitore. Ledion Qoshku

 

PANORAMA SPORT.AL