Kategoria e Dytë, java 14 në Grupin B/ Oriku mban fronin në Berat, Partizani B “tenis” në Devoll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2026 | 13:32

Kategoria e Dytë, java 14 në Grupin B/ Oriku mban fronin në Berat, Partizani B “tenis” në Devoll

Java e 14-të e Kategorisë së Dytë, Grupi B, u zhvillua në terrene të rënduara nga reshjet, por kjo nuk e ndali ritmin e lartë dhe betejën e fortë për kreun. Oriku mori një fitore me peshë në Berat duke ruajtur vendin e parë, ndërsa Butrinti dhe Partizani B mbetën në ndjekje pas sukseseve bindëse. Edhe Bylis B ruajti hapin, ndërsa Maliqi firmosi përmbysjen dramatike të javës.

tomori oriku

Delvina ishte pushim, por rezultatet konfirmuan se gara për kreun mbetet plotësisht e hapur. Java konfirmoi një betejë të hapur për vendin e parë. Oriku mban fronin, por diferencat janë minimale dhe çdo hap fals mund të kushtojë shtrenjtë në vijim. Grupi B premton një fazë të dytë të zjarrtë dhe me shumë mundësi, vendi i parë do të vendoset nga përballjet direkte mes katër pretendetëve, Oriku, Butrinti, Partizani B dhe Bylis B.

Tomori – Oriku 0-2

Në një transfertë delikate, Oriku doli me tri pikë “të arta” ndaj Tomorit, duke fituar 2-0. Beratasit, të mbështetur nga mbi 1500 tifozë, nuk arritën të shfrytëzonin faktorin fushë dhe shfaqën dobësi në manovrën sulmuese. Miqtë ishin më të qartë në objektiv dhe konkretë në pjesën e dytë, ku Disha shënoi në minutën e 64-t, ndërsa Shkreli vulosi gjithçka në të 90-ën. Ndeshja u shoqërua me tension dhe protesta nga vendasit për disa vendime arbitrale, por në fund Oriku ruajti qetësinë dhe kryesimin.

Këlcyra – Butrinti 1-2

Fitore me shumë vuajtje për Butrinti në transfertën ndaj Këlcyra, në një ndeshje të luftuar dhe me terren të rënduar. Dzilah zhbllokoi rezultatin me 11-metërsh në minutën e 72-të, ndërsa në fund Diop dyfishoi. Vetëm 30 sekonda më pas, Teka ngushtoi në 1-2 dhe minutat shtesë ishin dramatike. Të dy skuadrat mbetën me nga 10 lojtarë në pjesën e dytë pas kartonëve të kuq për Spahiun dhe Silvën. Butrinti mban vendin e dytë, ndërsa Këlcyra mbetet në fundin e tabelës.

Devolli – Partizani B 1-6

devolli partizani b

Shpërthim spektakolar i Partizani B në transfertë ndaj Devolli. Gjuzi, Goga, Ndrejaj dhe Gudjufi realizuan që në pjesën e parë, duke mbyllur praktikisht ndeshjen brenda 45 minutave. Në të dytën, Hidri dhe Mando thelluan diferencën, ndërsa Hasaj shënoi golin e nderit për vendasit. Një fitore që mban “demat” në garë të fortë për kreun.

Eagle – Bylis B 2-3

Në kryeqytet, Bylis B mori një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj Eagle.Vendasit kaluan në avantazh me Gidado, por Leshi dhe më pas Rabiu me dy gola të shpejtë përmbysën gjithçka. Hyzellari rihapi takimin në fund, por Bylis B administroi avantazhin. Ndryshe nga përballjet me Orikun dhe Partizanin B, ku “shqiponjave” u buzëqeshi fati, këtë herë përballë një rivali me elementë të ekipit të parë diferenca u ndje. Shuhet efekti surprizë për modestët e kryeqytetit.

Maliqi – Shkumbini 2-1

Përmbysje dramatike për Maliqin në shtëpi ndaj Shkumbini. Muangalalo kaloi miqtë në avantazh në minutën e 58-të, por Maliqi reagoi fuqishëm. Elmas barazoi në të 82-ën, ndërsa Lipo në minutat shtesë realizoi golin e fitores. Shkumbini e mbylli takimin me 10 vetë pas kartonit të kuq për Agejën në fund.

Java 14

15 shkurt

Dje

Maliqi – Shkumbini 2-1

Elmas 82’, Lipo 90’ / Muangalalo 58’

Devolli – Partizani B 1-6

Hasaj 81/ Gjuzi 18’, Goga 19’, Ndrejaj 30’, Gudjufi 34’, Hidri 68’, Mando 88’

Tomori – Oriku 0-2

Disha 64’, Shkreli 90’

Eagle – Bylis B 2-3

Gidado 54’, Hyzellari 89’ / Leshi 70’, Rabiu 75’, 77’

Këlcyra – Butrinti 1-2

Teka 90+4’ / Dzilah 72’ (11-m), Diop 90’

Delvina – Pushim

RENDITJA

                  TOTALI            

Nr EKIPI        N    P    F    B    H    G+/G-

1 Oriku         13   30   9    4    0    25-6

2 Butrinti      12   28   9    1    2    19-8

3 Partizani B   13   27   8    3    2    38-11

4 Bylis B       13   27   8    3    2    25-15

5 Maliqi        12   16   5    1    6    16-18

6 Delvina       12   15   5    0    7    18-21

7 Tomori        13   14   4    2    7    15-19

8 Devolli       13   13   4    1    8    16-31

9 Shkumbini     13   12   3    3    7    18-24

10 Eagle       13   12   3    3    7    18-28

11 Këlcyra      13   5    1    2    10   10-33

*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina

Java 15 22 shkurt

Partizani B – Maliqi

Shkumbini – Delvina

Butrinti – Eagle

Bylis B – Tomori

Oriku – Devolli

Këlcyra- Pushim

E.SPAHIU/ R.SULI- PANORAMASPORT.AL