Kategoria 2/ Grupi B në tronditje, Oriku ndalet, ndjekësit afrohen dhe gara ndizet. Eagle “ha kokat” e kryesuesve
Java e 13-të e Grupit B në Kategorinë e Dytë solli lëkundje të forta në majën e renditjes dhe e bëri edhe më të ndezur garën për kreun. Kryesuesit e Orikut gabuan në momentin më të papritur, duke u ndalur në barazim nga Eagle, ndërsa ndjekësit kryesorë, Partizani B dhe Bylis B, reaguan me fitore, edhe pse Butrinti ruajti vendin e dytë pa luajtur.
Ashtu si në grupin A, edhe këtu terrenet e rënduara nga reshjet u shndërruan në një pengesë serioze për zhvillimin normal të ndeshjeve, por emocionet dhe lufta sportive nuk munguan. Java e 13-të konfirmoi se Grupi B mbetet një nga më të paparashikueshmit në Kategorinë e Dytë, ku çdo ndalesë mund të përmbysë ekuilibrat dhe çdo javë sjell një histori të re në garën për ngjitjen.
Oriku – Eagle 2-2
Kryesuesit frenohen, Eagle surprizon sërish. Oriku ka gabuar në një moment vendimtar të sezonit, duke mos shkuar më shumë se barazimi 2-2 përballë Eagle. Ashtu si një javë më parë ndaj Partizanit B, kryeqytetasit konfirmuan se dinë të godasin të fortët, duke marrë një pikë me shumë vlerë në transfertë. Barazimi i Orikut shërbeu si një “asist” për ndjekësit direkt, Butrintin, Partizanin B dhe Bylis B, që shpresojnë të afrohen edhe më shumë me kreun. Eagle e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Sunday u ndëshkua me karton të kuq në minutat e fundit, menjëherë pas golit të barazimit.
Bylis B – Këlcyra 5-0
Ballshiotët pa mëshirë, diferencat duken qartë. Bylis B nuk pati asnjë vështirësi përballë Këlcyrës së vendit të fundit, duke fituar thellë 5-0. Diferencat mes dy ekipeve ishin të dukshme, sidomos duke pasur parasysh se në radhët e ballshiotëve aktivizohen edhe futbollistë të ekipit të parë. Fati i ndeshjes u vendos që në pjesën e parë, ku Bylis B shënoi katër gola dhe në minutën e 14-të ishte tashmë në avantazh të dyfishtë. Duke përfituar nga ndalesa e Orikut, kjo javë i shkon për shtat ballshiotëve, të cilët afrohen ndjeshëm me vendin e parë.
Partizani B – Tomori 1-0

Fitore e vuajtur, por trepikëshi vlen ar. Partizani B mori një fitore të rëndësishme, por të vuajtur, përballë Tomorit. Goli i vetëm i takimit u shënua vetëm pesë minuta nga fundi, duke shpërblyer këmbënguljen e “të kuqve”. Edhe pse në formacion ishin të pranishëm disa lojtarë të ekipit të parë, skuadra e drejtuar nga Ergys Luga e pati të vështirë të çante mbrojtjen beratase. Megjithatë, pas humbjes së papritur ndaj Eagle në javën e kaluar, ky trepikësh ka vlerë të dyfishtë, pasi ngushton distancën me kryesuesit e Orikut.
Delvina – Maliqi 4-0
Një pjesë për t’u harruar, një pjesë për t’u duartrokitur. Takimi mes Delvinës dhe Maliqit pati dy tablo krejt të ndryshme. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me lojë të ekuilibruar dhe pak raste shënimi. Por në fraksionin e dytë, delvinjotët shpërthyen. Me një lojë të bukur dhe efikase, vendasit shënuan katër gola, ku spikatën Koshie dhe Akim, duke e kthyer ndeshjen në një shfaqje force. Kjo fitore i ngjit delvinjotët në vendin e pestë të renditjes.
Shkumbini – Devolli 1-1
Penallti e humbur dhe dy pikë të shpërdoruara për peqinasit. Shkumbini ishte skuadra më kërkuese, sidomos në pjesën e parë, por shpërdorimi i rasteve i kushtoi shtrenjtë. Baparape humbi disa mundësi të pastra shënimi, ndërsa portieri Beqiri u bë protagonist për Devollin me pritje vendimtare. Në pjesën e dytë, Hasaj kaloi miqtë në avantazh në minutën e 75-të, por Sulkja barazoi me një goditje perfekte dënimi në minutën e 82-të. Kulmi i emocioneve erdhi në fund, kur Shkumbini fitoi një penallti, por Muangalalo u ndal nga Beqiri, duke i mohuar vendasve fitoren.
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java 13 8 shkurt
Të dielën
Delvina – Maliqi 4-0
Koshie 53’, 77’, Akim 58’, 66’
Bylis B – Këlcyra 5-0
Gjini 12’, Buraneli 14’, Faisal 34’, Almedia 39’, Akibu 75’
Oriku – Eagle 2-2
Dalanaj 9’, Llojaj 59’ / Lleshi 29’, Vrapi 90’
Partizani B – Tomori 1-0
Goga 85’
Shkumbini – Devolli 1-1
Sulkja 82’ / Hasaj 75’
Butrinti-Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Oriku 12 27 8 4 0 23-6
2 Butrinti 11 25 8 1 2 17-7
3 Partizani B 12 24 7 3 2 32-10
4 Bylis B 12 24 7 3 2 22-13
5 Delvina 12 15 5 0 7 18-21
6 Tomori 12 14 4 2 6 15-17
7 Maliqi 11 13 4 1 6 14-17
8 Devolli 12 13 4 1 7 15-25
9 Shkumbini 12 12 3 3 6 17-22
10 Eagle 12 12 3 3 6 16-25
11 Këlcyra 12 5 1 2 9 9-31
*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina
Java 14 15 shtator
Maliqi – Shkumbini
Devolli – Partizani B
Tomori – Oriku
Eagle – Bylis B
Këlcyra – Butrinti
Delvina – Pushim
L.Resuli/R.Suli/ A.Dushku- PANORAMASPORT.AL













