Ish-presidenti Montezemolo sulmon Ferrarin: Jam i shqetësuar për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2025 | 22:07

Ish-presidenti Montezemolo sulmon Ferrarin: Jam i shqetësuar për të ardhmen

“Sezoni i Ferrarit? Mund të them vetëm se nuk kam fjalë dhe se për momentin preferoj të mos flas”, kështu është shprehur ish-presidenti i Ferrarit, Luka Kordero di Montezemolo, gjatë prezantimit të maratonës së 36-të të “Telethon”, ku nuk e ka fshehur zhgënjimin për rezultatet e skuadrës nga Maranelo, e cila po i afrohet fundit të Botërorit 2025 të Formulës 1, pa fituar asnjë garë.

ferrari

Ferrari regjistron vetëm 7 podiume gjithsej, të gjitha të arritura nga Sharl Lëklerk, ndërsa pozicionohet në vendin e katërt për konstruktorë. Më tej ish numri një i “kokëkuqes” shtoi: “Jam i zemëruar dhe i zhgënjyer, sepse Ferrari, pas familjes, është gjëja më e rëndësishme në jetën time, por jam gjithashtu shumë i shqetësuar për të ardhmen”, deklaroi Luka Kordero di Montezemolo.

VASËR – Ndërkohë, drejtori i ekipit, Frederik Vasër, shpreson për një fund sezoni më pak të hidhur dhe një shkëndijë krenarie që ta çojë Ferrarin drejt 2026-ës me moral të lartë: “Abu Dabi shënon fundin e një sezoni të gjatë dhe kërkues, si për pilotët, ashtu edhe për gjithë skuadrën. Në ‘Yas Marina’ do të japim gjithçka deri në fund dhe si ekip, do të kërkojmë të mbyllim kampionatin në mënyrë pozitive. Vëmendja do të jetë e përqendruar te Lëklerk dhe Hamilton.

Luisi, megjithatë, do të pushojë në sesionin e parë, pasi do t’ia lëshojë makinën Artur Lëklerkut, i cili për të dytën herë merr pjesë në një fundjavë zyrtare të Formula 1, duke u bashkuar me vëllain e tij, ashtu si një vit më parë kur zëvendësoi Karlos Sainzin, sipas rregullores që kërkon që çdo pilot titullar t’ia lërë makinën dy herë gjatë sezonit një piloti të ri me jo më shumë se dy gara në CV”, u shpreh Vasër. Sa i përket të rinjve, pas Çmimit të Madh të Abu Dabit do të zhvillohen edhe testet e zakonshme pas sezonit, ku ekipet do të provojnë gomat e vitit 2026.

Ndërsa Lëklerk dhe Hamilton do të alternohen në makinën e pajisur me specifikimet e reja, Dino Beganoviç do të jetë në pistë me modelin SF-25, në të njëjtën konfigurim që do të shfaqet në garën e së dielës së 7 dhjetorit, duke drejtuar sërish një Ferrari pas seancave të lira në Bahrejn dhe Austri.

PANORAMASPORT.AL