Ish-portieri Çilingiri shpërthen ndaj Tomorit: Turp, na mundi edhe Këlcyra e vendit të fundit
Zhgënjimet për Tomorin duket se nuk kanë të sosur këtë sezon. Humbja e fundit në transfertë ndaj Këlcyrës ka tronditur opinionin sportiv në Berat, pasi skuadra beratase është mposhtur nga ekipi i vendit të fundit në grup, duke shtuar edhe më shumë pakënaqësinë mes tifozëve.

Fitorja e rëndësishme dhe spektakolare e arritur dy javë më parë në shtëpi ndaj Butrintit pretendent, kishte krijuar një ndjenjë optimizmi në qytetin e Beratit dhe shpresë për një vazhdimësi pozitive. Por disfata në Këlcyrë tregoi se ajo fitore ishte më shumë një iluzion, pasi skuadra vazhdon të shfaqë oshilacione të shumta në lojë dhe rezultate. Pas kësaj humbjeje, zhgënjimi te tifozët dhe opinioni sportiv beratas është më i madh se kurrë. Shumë sportdashës, si të brezit të ri ashtu edhe ata që kanë ndjekur futbollin beratas që para viteve ’90, kanë rikthyer kujtesën në historinë e pjesëmarrjeve të shumta të Tomorit në Kategorinë e Dytë.
Sipas tyre, në bazë të pikëve të grumbulluara në transfertë, skuadra aktuale rezulton të jetë më e dobëta në historinë e futbollit beratas gjatë dekadave të fundit. Statistikat flasin qartë. Gjatë këtij sezoni, ndeshjet jashtë fushe janë kthyer në një tabu për Tomorin. Ekipi ka arritur të marrë vetëm dy pikë në transfertë, të siguruara nga barazimet me Orikun dhe Eagles në fazën e parë të kampionatit. Në të gjitha përballjet e tjera jashtë Beratit janë regjistruar vetëm humbje, duke treguar se skuadra është thuajse një hije e vetvetes larg fushës së saj.
Kjo situatë ka habitur edhe ish-lojtarët e njohur të futbollit beratas. Ish-portieri i njohur i viteve ’80, Fatos Çilingiri, nuk e fsheh zhgënjimin për paraqitjen e ekipit këtë sezon. “Është logjike që të jemi të zhgënjyer me këto rezultate. Nuk mbahet mend që Tomori të mundet edhe nga Këlcyra e vendit të fundit. Pas asaj fitoreje ndaj Butrintit askush nuk e imagjinonte që do të vinte një humbje e tillë. Nuk e dimë çfarë po ndodh me Tomorin, por kjo situatë kërkon shpjegime, sepse është dëmtuar rëndë imazhi i futbollit beratas”, u shpreh i zhgënjyer ish-portieri i njohur, Fatos Çilingiri.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













