Ish-kapiteni Çilingiri: Tomori në emergjencë, duhen masa urgjente e jo pushime verore
Me ndeshjen e fundit në transfertën e Delvinës, Tomori jo vetëm mbylli kampionatin, por i dha fund edhe një sezoni që shumëkush do të donte ta fshinte sa më shpejt nga memoria. Një edicion zhgënjyes në çdo aspekt, që ka rënduar jo vetëm mbi skuadrën, por sidomos mbi tifozët beratas, të cilët e kanë vuajtur gjatë gjithë vitit performancën e dobët të ekipit të tyre të zemrës.

Për “Panorama Sport”, analizën e situatës e ka bërë ish-kapiteni i njohur Petrit Çilingiri, i cili nuk i ka kursyer kritikat. “Analiza e plotë i takon drejtuesve të klubit dhe institucioneve përgjegjëse, por si ish-kapiten dhe si sportdashës i lidhur ngushtë me Tomorin, ndjej detyrimin të them atë që kam parë gjatë gjithë sezonit. Për mua, përfundimi i kampionatit ishte fundi i një makthi të vërtetë, jo vetëm për mua, por për të gjithë tifozët beratas. Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë rezultatesh, por për faktin se gjatë gjithë fazës së dytë na ka shoqëruar frika e rënies në Kategorinë e Tretë. Dhe kjo, për një klub si Tomori, është absolutisht e papranueshme”.
“Duhet reflektim i thellë, jo gjumë veror”
Ish-kapiteni kërkon reagim të menjëhershëm dhe jo përsëritje të gabimeve: “Ky dështim duhet të pasohet nga një analizë serioze dhe reflektim i thellë, sidomos nga Bashkia, si pronare e klubit. Duhet të merren masa konkrete për ta rikthyer skuadrën në shinat e duhura. Nuk mund të vazhdohet më me zakonin për të ‘fjetur’ gjatë verës dhe për të ndërtuar ekipin në gusht. Puna duhet të nisë që tani, me ide të qarta dhe projekte konkrete”.
“Futbolli beratas në emergjencë”
Në përfundim, mesazhi i Çilingirit është i drejtpërdrejtë dhe i fortë:
“Futbolli beratas është në kushtet e emergjencës. Ka nevojë për specialistë të vërtetë dhe profesionalizëm, jo për njerëz që e shohin si një vend pune të përkohshëm. Vetëm kështu mund të rikthehet tradita dhe dinjiteti i këtij klubi”. Sezoni mbyllet me shumë pikëpyetje për Tomorin, ndërsa vera pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse ky klub historik do të ringrihet apo do të vazhdojë të endet në krizë.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













