Ilir Daja bën “arkitektin”, trajneri i Dinamos dublon rolet në fushë
Dinamo është në kërkim të vazhdimësisë, por rezultatet negative kanë qenë prezente herë pas here, duke i futur blutë edhe në telashe të vazhdueshme.

Megjithatë, në kampin dinamovit janë të bindur se do të bëjnë mirë këtë sezon dhe objektiv mbetet natyrisht titulli kampion edhe pse gara pritet të jetë mjaft e ashpër. Dëmtimet dhe mungesat kanë qenë të shumta te Dinamo megjithatë trajneri Daja ka gjetur shpesh herë rrugë të ndryshme për të mbuluar mungesat që ka pasur në fushë. Dhe, me këto ndryshime Dinamo ka fituar edhe lojtarë më të shumta me të cilët ka dubluar pozicionet në fushë si edhe ka shtuar në një farë mënyre grupin. Sakaq, në formacionin titullar të këtyre javëve të para të kampionatit, ka shumë futbollistë që luajnë jashtë pozitave të tyre duke qenë gjithsesi protagonistë me Dinamon.
MBORJTJA- Sa i përket prapavijës, Dajës i pëlqen të eksperimentojë dhe diçka të tillë e ka bërë shpesh herë këtë sezon. Kështu, qendra e mbrojtjes është e përbërë nga Naser Aliji dhe Bruno Dita. I pari ka luajtur në karrierën e tij dhe në Kombëtare si mbrojtës i majtë, por me Dinamon ka marrë një rol të ri dhe po bën shumë mirë deri më tani. Ndërkohë, kapiteni që thuajse gjithë karrierën e tij ka luajtur si mesfushor, është kthyer në një lider të qendrës së mbrojtjes. Ndërkohë, Andre Teikseira i afruar si qendërmbrojtës, ka provuar disa herë të luajë në të djathtë, megjithëse në atë pozitë janë edhe Jorgo Meksi me Bekim Maliqin. Ledio Beqja është një tjetër lojtar i aktivizuar si mbrojtës me Dinamon edhe pse pozita e tij natyrale është në mesfushë dhe sërish ka bindur me fanellën e kryeqytetasve.
MESFUSHA– Dinamo është një nga skuadrat me më shumë mesfushorë, të cilët i ka shpërndarë edhe në mbrojtje e sulm. Kështu, Eridon Qardaku që luan si sulmues, është transferuar në mesfushor te Dinamo e madje po luan edhe para mbrojtjes. Sakaq, në mesfushë është transferuar edhe Lorenco Vila i cili me fanellën e Teutës ka luajtur si sulmues krahu, gjë të cilën te Dinamo nuk po e bën shpesh. Dinamo ka edhe mesfushorë që nuk i ka përdorur deri më tani, siç ka qenë Fjoart Jonuzi apo edhe lojtarë të akademisë që sezonin e shkuar kanë marrë minuta.
SULMI- Reparti më solid te Dinamo, mbetet padyshim sulmi që duket se ka fituar vendin në formacion. Kështu, Bregu është sulmuesi i djathtë dhe shpesh herë ka luajtur edhe si pykë, ndërkohë që në qendër është Guindo. Në të majtë, ka pasur alternime mes Nanit dhe Bernard Berishës, ndërkohë që në fillim të sezonit i është dhënë hapësirë edhe sulmuesit tjetër, Hekuran Berisha.
MERKATOJA– Pavarësisht ndryshime të shumta që Daja ka bërë në formacion, duke përshtatur lojtarët në pozicione të ndryshme, ndërhyrjet në merkato pritet të jenë me pikatore. Trajneri i bluve ka shprehur shpesh herë dëshirën për të pasur edhe 2 sulmues të tjerë në skuadër dhe duket se me mbrojtjen dhe mesfushën është i kënaqur, e sidomos me portën ku Aldo Teqja është kthyer në të paprekshëm dhe po bën një sezon fantastik me skuadrën e Dinamos.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













