Humbja e parë për Egnatian në shtëpi, Brahja pas fitores së Flamurtarit: Nuk u befasuam, ka ndikuar gjendja e Tetovës
Julian Brahja foli pas ndeshjes Egnatia-Flamurtari. Vlonjatët fituan me një gol të Ramirez në Rrogozhinë, për t’i shkaktuar kampionëve një humbje të papritur.

Zëvendëstrajneri i Egnatias u shpreh pas humbjes së parë në shtëpi për këtë edicion të Superiores:
“E filluam pjesën e parë shumë mirë, por na mungoi qartësia. Ndoshta edhe për meritë të Flamurtarit sepse me 3-5-2 na bënë presing lart dhe ndoshta kjo qartësia që nuk patëm ishte edhe meritë e kundërshtarit. Në pjesën e parë më erdhi keq si pësuam golin, e kuptojmë që futbolli është lojë gabimesh, por më vjen keq që e pësuam golin në kundërsulm. Nuk dua ta bëjmë dramë sepse çunat u munduan të japin më të mirën aq sa kishin mundësi.
Nuk u befasuam, e dinim që Flamurtari vjen lart me dy sulmuesit. Ndoshta u nxituam më shumë se duhet, i porosita çunat që të mos nxitohen. Të bëjmë lojën tonë, ne kemi filozofinë tonë që vazhdojmë me kontrollin e ritmit të lojës. Ndoshta kjo na mungoi. Pjesën e parë sidomos dolëm shumë shpejt përpara, gjë që na ndikoi edhe te rasti i golit.
Me fillimin e pjesës së dytë, bëmë ndryshime. Futëm Buriçin, e bëmë 4-2-4, për të sulmuar me katër lojtarë. Dhe Flamurtari kishte bërë bllok të ulët, na krijuan probleme. Ata prisnin në tranzicion pozitiv që të na sulmonin. Ne duhet të rrezikonim për të barazuar. Dhe në ndeshjen me Tiranën kemi rrezikuar shumë, por kjo është loja jonë. Të shkojmë deri në limite.
Duam apo jo, ka ndikuar gjendja e Tetovës. Problemin që pati profesor Tetova, e kanë ndjerë të gjithë. Nuk dua ta them për justifikim. Kemi pasur komunikim me profesorin, jemi munduar të kemi një bashkëpunim. Shyqyr zotit është në gjendje të mirë, dua t’i uroj shëndet. Të kthehet sa më shpejt pranë ekipit dhe të ketë shëndetin e plotë”, u shpreh Brahja.
PANORAMASPORT.AL













