Futbolli beratas peng i paaftësisë dhe mungesës së privatizimit. Çilingiri: Tomori u intereson vetëm rrogëtarëve
Në Berat, çështja e privatizimit të Tomorit vazhdon të mbetet tema më e nxehtë në opinionin sportiv vendas. Shumë futbolldashës e konsiderojnë privatizimin si të vetmen zgjidhje përfundimtare për krizën disavjeçare që ka përfshirë futbollin beratas, por deri më tani gjithçka duket e bllokuar dhe pa një rrugë konkrete zgjidhjeje.

Situata ka mbetur në vendnumëro dhe tashmë “topi” duket se ka mbetur plotësisht në derën e Bashkisë së Beratit. Pavarësisht disa tentativave për të afruar biznesin vendas pranë klubit, Bashkia shihet si e pafuqishme për të dalë nga kjo krizë. Nga ana tjetër, edhe biznesi lokal kërkon garanci dhe mbështetje ligjore përmes ligjit të sportit, çka do të sillte edhe benefite konkrete për investitorët e mundshëm. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se, ndonëse ekziston dëshira për ta larguar përgjegjësinë nga vetja, Bashkia ende nuk ka një projekt të qartë për privatizimin e Tomorit.
Presioni nga opinioni
Ndërkohë, presioni nga opinioni futbolldashës është rritur ndjeshëm dhe kritikat ndaj institucionit vendor janë bërë gjithnjë e më të forta. Tifozeria dhe figurat e njohura të futbollit beratas akuzojnë Bashkinë për paaftësi në rikthimin e Tomorit në identitetin e tij. Sipas tyre, skuadra vetëm “gëlltit” fonde vit pas viti, ndërsa rezultatet mungojnë totalisht, gjë që provohet edhe nga qëndrimi trevjeçar në kategoritë inferiore. Jo pak kritika ka sjellë edhe distancimi i Bashkisë nga skuadra gjatë sezonit të kaluar. Mungesa e reagimeve për rezultatet e dobëta, por edhe mungesa e kërkesës së llogarisë për fondet e shpenzuara, kanë shtuar zemërimin në qytet. Madje, edhe mungesa e përfaqësuesve të Bashkisë në ndeshjet zyrtare është parë si një tjetër tregues i indiferencës ndaj fatit të klubit.

Ish-kapiteni Çilingiri
Një nga zërat më kritikë në Berat, ish-kapiteni Petrit Çilingiri, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj drejtuesve vendor. “Për sa kohë mungojnë projektet konkrete për privatizimin dhe nuk organizohen tryeza publike me biznesin vendas dhe figurat e njohura të futbollit beratas, zgjidhja e krizës mbetet e largët dhe vetëm një iluzion. Kjo situatë u intereson vetëm rrogëtarëve, sepse privatizimi do të rikthente llogaridhënien dhe do të garantonte rezultat sportiv. Bashkia duhet të veprojë dhe jo të heshtë sikur nuk ka ndodhur asgjë me Tomorin”, u shpreh Çilingiri për “Panorama Sport”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













