Flamurtari, me dy ‘timonë’ për Superioren! Ja çfarë ka kërkuar Idrizi
Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj drejt kon firmimit zyrtar në stolin vlonjat. Duket se ajo që është paralajmëruar nga “Panorama Sport”, po merr formë. Skuadrat mund të drejtohet për pjesën e mbetur të sezonit nga dyshja e zëvendëstrajnerëve. Ata duket se po përgatiten edhe për të ardhmen ndërsa Sinan Idrizi ka kërkuar më shumë përgjegjësi prej tyre ndërsa nuk do të kursehet për të plotësuar çdo kusht që lidhet edhe me trajnimin e tyre në klube të njohura jashtë Shqipërisë.

Edhe kjo javë e ka gjetur Ribajn dhe Liçajn në krye të skuadrës në drejtimin e ekipit në stërvitje. Ata “veshën tutat” dhe dje pasdite dolën përsëri në stërvitje me skuadrën duke asistuar njëritjetrin. Në këto kushte po vijon me ritme përgatitja për ndeshjen me Vllazninë që do të luhet të dielën në Vlorë. Dy trajnerët i kanë kushtuar vëmendje anës fizike por edhe psikologjike të skuadrës.
MORIERO THUAJSE I IKUR – Trajneri italian Françesko Moriero thuajse i larguar nga Flamurtari. Italiani nuk po duket as në Vlorë dhe janë të shumta shanset që të jetë larguar drejt Italisë pranë familjes. Momenti që u shfaq Moriero për herë të fundit me skuadrën ishte një ditë para ndeshjes me Partizanin. Të nesërmen nuk e drejtoi ai skuadrën në ndeshjen në Vlorë por as me Teutën në Durrës. Italiani nuk do të jetë në stol as në ndeshjen me Vllazninë që luhet në Vlorë.
Trajneri është larguar me arsyen se është sëmurë, por ky duhet më shumë justifikim. Por as klubi nuk ka dalë me një reagim zyrtar. Mesa duket klubi dhe italiani dëshirojnë të ndahen në heshtje. E ndërsa është i sëmurë, Moriero është bërë i “gjallë” në rrjetet sociale. Nuk flet për largim nga Flamurtari por ka publikuar një video nga një ndeshje futbolli, ku shihet në fushë nipi i trajnerit italian dhe ku Moriero shkruan duke e shoqëruar me një zemër: “Kampioni im”.
KALENDAR FERRI – Flamurtari gjendet aktualisht në një situatë të vështirë dhe i fundit në klasifikim, pretendenti kryesor për të rënë nga Superiorja. Kuqezinjtë pas 26 javësh kanë arritur që të grumbullojnë vetëm 21 pikë, po aq ka edhe Tirana e parafundit. Ndërsa sipër tyre është Bylis me tri pikë më shumë. Për Andi Ribajn dhe Lejdi Liçaj, tashmë del në mision i rëndësishëm dhe i vështirë, të mbajnë Flamurtarin në elitë. Por kalendari rezervon tri javë “ferri”.
Flamurtari pret të dielën në Vlorë Vllazninë e Shkodrës në një ndeshje tejet të vështirë. Një javë më vonë e luajnë përsëri në Vlorë ku presin Elbasanin. Ndërsa më pas udhëtojnë në transfertën e Ballshit drejt një rivali direkt si Bylisi. Një hap fals do të kushtonte shumë shtrenjtë, ndërsa në këtë situatë ku gjendet Flamurtarit i nevojitet vetëm fitorja nëse do të duan të qëndrojnë në Superiore.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













