EKSKLUZIVE/ Tirana kërkon trajner, Shpëtim Duro dhe tre të tjerë në lojë për stolin
Një kandidaturë e fortë për të marrë Tiranën, pas largimit të Bledi Shkëmbit, është Shpëtim Duro. Tiranasi mund të jetë pjesë e bardhebluve në sezonin e ri. Në fakt, emri i Shpëtimit nuk del për herë të parë te Tirana. Edhe pas largimit të Maganit u fol për Duron në stolin e bardheblu.

Ai ishte kontaktuar indirekt për të marrë drejtimin e Tiranës. Nëpërmjet palëve të treta, drejtuesit testuan nëse Shpëtim Duro ishte i gatshëm për një aventurë bardheblu. Trajneri i njohur i Kategorisë Superiore, i kombëtareve dhe i shumë skuadrave në Kosovë e Maqedoni, u mësua se në atë moment nuk ka pranuar që të drejtojë bardheblutë.
Shkaku ka qenë gjendja e skuadrës, që sipas tij nuk ishte e mirë. Duro ka pranuar se në një moment tjetër do të kishte pasur kënaqësinë të merrte drejtimin e Tiranës dhe duket se ai moment ka ardhur.
Shpëtim Duro mund të jetë më shumë se një opsion kryesor, por trajneri i Tiranës. Një tjetër emër për Tiranën është Ardijan Nuhiji, që deri dje ishte pjesë e Gjilanit, Ditmar Bicaj, ndërsa Qatip Osmani mbetet një dëshirë e kahershme e Refik Halilit.
PANORAMASPORT.AL













