EKSKLUZIVE/ “Tirana duhet të mbijetojë”, Pisha analizon garën: Elbasani është pretendent për titullin (E PLOTË)
Ish-mbrojtësi i njohur i futbollit shqiptar, Arjan Pisha, ka analizuar për “Panorama Sport” momentin aktual të kampionatit shqiptar dhe garën për titull në elitën e futbollit.

Në një intervistë ekskluzive, ai ndalet veçanërisht te forma e mirë e Elbasanit dhe shanset reale të skuadrës për të qenë pretendente për titull këtë sezon. Ish-futbollisti, i cili ka veshur fanellat e disa prej klubeve më të njohura në vend si Elbasani, Dinamo apo Tirana, vlerëson se rezultatet pozitive të Elbasanit nuk janë rastësi.
Sipas tij, skuadra ka ruajtur boshtin e sezonit të kaluar dhe ka bërë lëvizje të zgjuara në merkato, duke krijuar një ekip konkurrues për këtë edicion. Ai ndalet edhe te përballja e rëndësishme mes Elbasanit dhe Egnatias, analizon garën për titull dhe komenton situatën e Dinamos, që po kalon një moment të vështirë në rezultate. Gjithashtu, Pisha shpreh shpresën që Tirana të arrijë të mbijetojë në elitë, duke theksuar se kjo do të ishte e rëndësishme për vetë kampionatin dhe futbollin shqiptar në tërësi.
Pisha, e keni pritur Elbasanin të jetë në këto pozita?
E kam thënë që në fillim se Elbasani do të jetë pretendent, duke u nisur edhe nga sezoni i kaluar, kur bëri paraqitje dinjitoze. Për këtë sezon ruajti boshtin e ekipit dhe njëkohësisht bëri edhe lëvizjet e duhura me afrimet në merkato.
Cili është çelësi i suksesit?
Mendoj se çelësi i suksesit është një grup i mirë lojtarësh, por edhe stafi me drejtuesit që kanë ditur të menaxhojnë një ekip shumë të mirë. Më pas, shumë e rëndësishme është edhe ana financiare, e cila këtë vit nuk i mungon ekipit
Si e prisni ndeshjen mes Elbasanit dhe Egnatias?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, duke pasur parasysh që përballë është një rival direkt dhe një ekip cilësor që ka dominuar vitet e fundit të kampionatit. Mendoj që Elbasani duhet ta fitojë këtë ndeshje dhe të jetë në krye.
Cilin shihni më të favorizuar në luftën për titull?
Ka ende kampionat dhe i shoh të tre ekipet rivale shumë të forta. Ekipi që do të bëjë më pak gabime dhe do të jetë më cilësor në pjesën e sulmit, mendoj se do të fitojë edhe kampionatin.
Dinamo në krizë rezultatesh. Mendoni se do të dalë nga kjo situatë?
Dinamo, së bashku me Elbasanin, janë ekipet e mia të zemrës. Më vjen keq që ndodhet në këtë situatë. Si çdo ekip gjatë një kampionati, tani ndodhet në krizë rezultatesh. Mendoj se për momentin nuk i ka funksionuar pjesa e sulmit. Shpresoj që në ndeshjet e fundit të rikthehet në formën e saj dhe të kapë “Final 4”.
Tirana do t’ia dalë të mbijetojë?
Do të kisha shumë dëshirë që Tirana të shpëtonte dhe jam besimplotë se do t’ia dalë. Kjo për të mirën e kampionatit dhe të futbollit shqiptar.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













