EKSKLUZIVE/ Rrëfimi unik i Rragamit, si lindi “Ujku” te Partizani dhe largimi! Legjenda e Vllaznisë: Birçe më tha… (E PLOTË)
Partizani dhe Vllaznia do të përballen të dielën(nesër), më 23 nëntor ora 16:30. Të dyja klubet kanë shkruar historinë në futbollin shqiptar, ndërsa pjesë ishin futbollistë që tashmë mbajnë statusin e legjendës. Një prej tyre që fitonte tituj kampionë me Partizanin dhe Vllazninë, është Ferit Rragami. Ish-futbollisti i lindur në Shkodër, më 1 qershor të vitit 1957, është intervistuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport” para sfidës në “Arena e Demave”.
LIDHJET E PARA ME SPORTIN E FUTBOLLIT
Si lojtar në moshë të re, ndiej një kënaqësi të madhe në zonën ku kam lindur, ku jam rritur dhe aty mësova edukatën e trajnerëve që kishin dalë fitues në vitin 1945. Ishte trajner Ernest Eljopani. Ishte 1.65 i gjatë, por ishte talent. Ai më ndihmoi në edukatën e kulturës fizike. Pastaj deri në klasën e katërt të shkollës fillore kam qenë te “Ndoc Mazi” ku kam pasur komshi Lekë Koçobashin. I kam pasur në atë zonë se ishte “Shtëpia e Pionerit”, që i thonin në Shkodër. Pasi mbarova shkollën fillore, u hapën ato sportive. Ajo ishte gjëja më e mirë. Kisha dy trajnerë, Zyhdi Bakalli dhe Tonin Kraja, ky i fundit vëllai i Kolec Krajës, ish-futbollistit të Partizanit dhe Kombëtares. Ika prej aty, erdha në Tiranë dhe tentova në vitin ’72, për të fituar të drejtën e anës sportive. E fitova dhe më njoftuan, por më hoqën të drejtën e pagesës se fitoja bursë. Meqë kisha një lidhje pesekutimi. Ishte një gjysh i pushkatuar në Tropojë, Bajram Hazir Rragami, që nuk e dija. Shkollat sportive na ndihmuan shumë ne, me edukatën, me lojën, mënyrën si luanim. Na përgatisnin shumë mirë nga ana psikologjike dhe pedagogjike. Erdha në Tiranë dhe fitova, pastaj më doli ky problemi. Në vitin e parë me Shkëndijën dola kampion, por isha dy vjet më i vogël se të tjerët. Fitova të drejtën dhe shkova me kombëtaren e të rinjve, trajner Refik Resmja dhe Fanas Jançe. Kur u ktheva, më tha Shyqyri Rreli, ish-trajneri i Shkëndijës, që do shkosh me Shpresat. Kur shkova për të dalë jashtë, në Rumani dhe Jugosllavi nuk më lanë. Këtu luajta me Jugosllavinë dhe fituam 2 me 1, kundërshtar kisha Fadil Vokrrin. Atëherë më kërkoi: ‘Mos më ndërhy fort Ferit’. Isha si demi, nuk pranoja asgjë dhe kisha hallin tim. Doja të merrja trajtimin, dhe për fat të mirë na e dhanë trajtimin ushqimor si talente. E mbylla problemin e bursës. Në verë, kur shkoja në Shkodër, duhet të punoja duke pastruar edhe kanale. Me akord, që të mos largohesha nga stërvitja. Kjo vazhdoi si ego. U dha urdhër atëherë, që asnjë sportist apo tjetër, nuk mund të futet në shkollë për ta marrë, nëse Marksizmin e ka si notë poshtë 8. Unë e kisha më të ulët dhe më hoqën. Shkova në Shkodër, në Laç të Vaut të Dejës kam pasur nxënës edhe Edi Martinin. Kjo ishte hera e parë që erdhi një goditje për mua. Pastaj u dha urdhër tjetër. Të gjithë anëtarët e ekipit kombëtar, në të gjitha sportet, kanë të drejtën për shkollën me korrespondencë. E mbarova ashtu, gjatë kohës me provime më dërgonin në Laç të Vaut të Dejës, por nuk më penguan te futbolli. U mblodh ekipi shpresa dhe më thërrasin. I thashë profesor Shyqyri Rrelit: ‘Pse më merrni dhe nuk më dërgoni jashtë? Pse më lejoni të luaj vetëm ndeshjet brenda?’ Më tha: ‘Nuk e di biografinë? Ke burrin e hallës, ka ikur me gjithë fisin nga Tropoja’. Ata thonin në Jugosllavi, por ai ishte në Amerikë. Takova edhe një tjetër burrë halle, që ishte në Belgjikë dhe më tha: ‘Rri këtu’. I thashë se nuk mundem se kam një besë, më ka thënë babai dy gjëra mos bëj: ‘Mos vidh dhe mos e tradhto Shqipërinë se do kemi probleme’.
HAPAT E PARË TE VLLAZNIA
Kur u ndërpre e drejta ime për të vazhduar shkollën 7-vjeçare, Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, shkova te Vllaznia. Shikoja Sabah Bizin, Astrit Hafizin, Din Zhegën, si edhe Ramazan Rragamin e Xhevdet Shaqirin që ishin trajnerë. Më iku truri, nuk dija si të veproja. Më tha trajneri Shaqiri: ‘Do jesh mbrojtës i djathtë, por nuk do rrish vetëm në mbrojtje, do dalësh edhe në sulm’. Atë kisha trajner, kur shkova në Shkodër. Ishte trajneri më i egër në botë, si Bejkush Birçe. Mua më interesonte vetëm sektori i karakterit, që të luftosh, të japësh çfarë ke, kur nuk mundesh duhet të tërhiqesh. Ata mblidheshin çdo ditë të hënë. Nuk diskutonin, as me trajnerë, rrinin vetëm me tifozë. Unë nuk e dija. E mësova aty në Shkodër. Mblidheshin tifozët dhe respektonin futbollistët. Kur shkova në Shkodër, mësova detyrimet taktiko-teknike. Futbolli shkodran ishte si i Vlorës, me një sistem ishin të dyja. Vetëm luanin bukur me njëri-tjetrin. I kishin të përcaktuara lëvizjet. Aty mësova shumë. Kur shkova te Partizani, aty po mos të ishe ‘bishë’, e kotë të merrje pjesë. Po të mos bëje dyfishin e kundërshtarit me vrap. Nëse kundërshtari bënte vrap kaq metra, që mateshin përafërsisht nga 5-10 specialistë në tribunë. Të gjithë pedagogë. Për shembull, kujtoj një fitore 3 me 0 në derbin ndaj Dinamos. Unë bëra 8500 metra, Andrea Marko kishte bërë 6700 metra. Specialistët thonin prandaj kanë humbur.
KALIMI TE PARTIZANI DHE NDRYSHIMI NGA VLLAZNIA
Ndryshimi i Partizanit me Vllazninë ishte si nata me ditën. Unë nga katër orë që bëja stërvitje te Vllaznia, vetë dhe në pjesën me trajnerin, kur erdha te Partizani bëja 8 orë. Dilja në orën 6 të mëngjesit te “Fusha e Aviacionit”. Te Vllaznia nuk e pata mundësinë, duhet të punoja të nxirrja ndonjë lekë për familjen siç thashë në pastrim. Se isha me bursë të paguar nga familja. Pas një viti e fitova, flas kur isha 19 vjeç. Kur erdha te Partizani, u bllokuan të gjitha punët se nuk kisha nevojë për të marrë lekë. 100 lekë merrja në shkollë. Te Partizani kisha 4 orë stërvitje me trajnerin, të ndara me dy seanca, ndërkohë 1 orë e gjysmë deri në 2 ishte stërvitja e mëngjesit. Dhe po ashtu dy orë në darkë, por jo në futboll. Për shembull mbaj mend se luaja me Kushtrim Zaçen e basketbollit. Luaja në palestër. Na merrte Perlat Musta, na thoshte: ‘Hajde luajmë basketboll, hajde futboll në palestër’. Na merrte Ndriçim Spahiu, mundës, të gjithë rekordmena këto emra që po përmend. Më kërkonte Çimi mundje bashkë, por i thoja: ‘Jo, do bëj vetëm me Viron Bezhanin’. Dhe kam bërë me Bezhanin, 9 minuta pa pushim. Luanim edhe pingpong. Partizani i kishte kushtet, kishte edhe palestrat, peshëngritjen, çitësit, çiklistët etj. Dhe mesazhi ishte i njëjtë: ‘Kundërshtarin shtype’. Nuk ndryshonim apo të kishim mashtrime si sistem. Nuk mërziteshim me njëri-tjetrin, thonim do hymë në ndeshje, por si gladiatorë. Ishte ky koncepti.
NOFKA “UJKU” DHE LIDHJA ME TIFOZËT
Nofkën “Ujku” ma kanë vendosur tifozët e Partizanit. Sidomos Lapraka, që shpërtheu kur kishte sukses Partizani. Teki Dokon e mbaj mend si një nga tifozët e zjarrtë që nuk e ka tradhtuar kurrë. Futbolli i Partizanit ishte futboll force, karakteri. Ai që ishte talent, rrinte vetëm përpara, prapa ishin ‘bisha’. Ishte në mbrojtje Astrit Ziu, Safet Berisha, Kastriot Hysi, Valter Meçe në krahun e djathtë. Ishin ‘bisha’. Në mesfushë ishim katër, me Feim Becën, Haxhi Ballgjinin dhe Ilir Lamen. Ishte një ndeshje që po e kujtoj. E mundëm Dinamon 3 me 0, bërtiti portieri i Dinamos, Ilir Luarasi: ‘E imja’. Por erdhi goli nga 35 metra, në trekëndësh. Ismet Bellova tha në koment për Partizanin në atë ndeshje: ‘Ishte lokomotiva, pastaj ishin vagonat e trenit prapa’. E mundëm Dinamon 3 me 0, por atëherë ishte shumë e vështirë ndaj tyre me këtë rezultat. Kishin ekipin më të mirë, por ishin flegmatikë, kurse ne ishim agresivë. Pardje(19 nëntor 2025) isha me Shyqyri Ballgjinin, që e kam pasur kundërshtar. Unë kisha shokë te Dinamo, ata kishin te Partizani, te Tirana dhe Vllaznia. Kështu ishte atëherë pas ndeshjeve. Unë arrita të bëj dy gola ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe fituam 2 me 0. Më duartrokitën, kur bëra golin. Mbaj mend golin një nga golat, ishte me Muç Fagun. Ia pasova dhe ma ktheu që shënova golin. Kemi pasur sulm shumë agresiv dhe teknik.
MOMENT QË NUK HARROHET DHE PENGU
Kundër Sëlltikut, më thotë profesor Bejkushi: ‘Ti do mbulosh numrin 7’. Mbaroi ndeshja 1 me 0, i dhashë topin me krosim Agim Muratit dhe shënoi golin e fitores. Më pas thanë do ikin dy të tjerë në Gllasgou. Vetëm mendova: ‘Pse do shkojë Millan Baçi, mbrojtës i djathtë, që luan me Tiranën?’ Pastaj thashë po protestova, do bëhet nami dhe nuk bëra zë. Nuk shkova në Skoci. Te ndeshja këtu, lojtarin më të mirë të Sëlltikut në pjesën e dytë e nxora jashtë. Tani kam vendosur të iki vetë në Gllasgou, do rri një javë. Do shkoj te Sëlltiku, vetëm për t’i takuar. Më ka mbetur pak si pishman te Partizani, që nuk luajta ndaj Sëlltikut në Gllasgou. Sëlltiku kishte brezin më të artë në atë kohë.
LARGIMI PA DËSHIRË NGA PARTIZANI
Kam ndejtur 21 ditë te Partizani pas daljes nga ushtria. Shkoi profesor Bejkushi në Byronë Politike, foli me ata dhe i thanë që jo. Do zbatohej rregulli i Sabah Bizit, që të kthehesha në Shkodër. Nuk ishte zgjedhja ime sepse unë shpreha dëshirën për të qëndruar. Partizani ishte ekip më i konsoliduar, më agresiv dhe më kërkues.
VLLAZNIA DHE PARTIZANI NUK NDAHEN
Nuk e ndjek shumë futbollin shqiptar, të them të drejtën. Më vjen keq, kur përplasen bashkë Partizani dhe Vllaznia që janë me traditë. Dëshirë kam që kur përplasen dy vezë, mos të thyhet as njëra, as tjetra.
FUTBOLLIST POLIVALENT, DY VESET E NDALUARA
Kam bërë tetë pozicione. E zgjidhte vetë trajneri, dhe ishim të detyruar për të zbatuar urdhrin e trajnerit. Vetëm dy gjëra nuk duhet të bënim ne, asnjë person nuk lejohej: ‘Duhani dhe alkooli’. Ushqimi te klubi i Partizanit ishte super. Stërvitja po ashtu.
SHIFRAT
Në ndeshje zyrtare, kampionat dhe kupë, si mbrojtës dhe mesfushor kam arritur 102 gola. Kam luajtur edhe me probleme.
DËBIMI I PADREJTË, NGA VITI ’87 TE NDESHJA E VETERANËVE
Para tri javëve në Shkodër, u bë një aktivitet. Vlora dhe Shkodra, isha i ftuar nga Hysen Zmihani. E falenderova dhe shkova. U kënaqa, vetëm i thashë mos më detyro për gjëra fizike. Kur u inaugurua stadiumi “Loro Boriçi”, kam qenë po ashtu i ftuar. Të njëjtën kërkesë kisha. Kujtova një episod para tri javësh se në vitin ’87 i kam bërë gol Vlorës. Kemi fituar Kupën, isha edhe kapiten i skuadrës. Shkuam pastaj në Maltë, fituam këtu 2 me 0, edhe atje 4 me 0. Na kërkonin të mos bënim gola të tjera. Në ndeshjen e radhës në Finlandë më pas, na doli një problem. Dhe për atë përfundova në Dukagjin. Aty mbaj mend Skënder Gjinushin, që erdhi në Pult dhe tha të zbres unë poshtë. Më pyeti: ‘Këtu ke përfunduar?’. Vetëm se isha kapiten i skuadrës, më thanë se do shkosh në dëbim 9 muaj. E ka zgjidhur vetë shteti shqiptar. Gjinushi e kuptoi se ishin bërë disa gjëra, por punët e tyre, nuk isha unë. E mbylla këtë problem, pastaj shkova prap të luaj prapë për Vllazninë. E pësova vetëm si kapiten, por u rregullua. Gjinushit ia ktheva me batutë: ‘Nga Poli i Veriut i botës, erdha në polin e veriut të Shqipërisë dhe jam i kënaqur’.
DËMTIMI I PETRIT DIBRËS
Nga dëmtimet mbaj mend vetëm një ish-futbollist, Tit Dibrën. Karambol ishte me top. Topi ishte në mes, ai kishte mendjen për sprint. Ai u nis në sprint, unë i dola nga ana tjetër. U përplasa me të, nuk u bë më për gjithë jetën. E la futbollin. Ishte përplasje me topin mes këmbës time dhe të atij. Unë kisha mendjen që të kapja topin, ndërsa ai donte të bënte vrap
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













