EKSKLUZIVE/ Partizani i pafat, dëmtohet rëndë afrimi i verës. “Demat” futen menjëherë në merkato
Partizani po rezulton pafat në prag të fillim it të kampionatit. Klubi i kuq ka marrë një goditje të rëndë në repartin e mesfushës, pasi Amos Nondi, afrimi i bujshëm i verës, ka pësuar një dëmtim të rëndë në stërvitje dhe rrezikon t’i nënshtrohet operacionit.

Lajmi ka tronditur jo pak klubin e kuq, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist mbi të cilin ishin ndërtuar plane konkrete për këtë sezon. Mesfushori 26-vjeçar, i cili vetëm para pak ditësh u prezantua si përforcim i kuqve, kishte lënë përshtypje mjaft pozitive në seancat e para stërvitore.
Pavarësisht se nuk kishte debutuar ende, të dhënat e tij tregonin se do të ishte pikë referimi për mesfushën.
HUMBJE E MADHE- Rëndësia e këtij dëmtimi shkon përtej mungesës së një lojtari. Partizani kishte mbyllur merkaton në mesfushë duke besuar se afrimi i Nondit do të plotësonte boshllëkun e pozicionit numër 6, i cili konsiderohet pikë delikate. Te Partizani zgjodhën të mbështeten te profili i lojtarit të Kenias, i cili kombinonte përvojën ndërkombëtare me aftësitë e tij. Dëmtimi i rëndë pritet të detyrojë klubin të hyjë sërish në merkato, diçka që nuk ishte planifikuar. Milinkoviç sërish duhet të mendojë seriozisht për formacionin. Pikërisht mesfusha, nga një repart i kompletuar në letër, u kthye brenda pak ditësh në një problem të madh.
DY GODITJE- Rasti i Nondit vjen rreth 1 muaj pas dëmtimit të rëndë të Albers Kekos. Talenti i të kuqve u detyrua të linte fushën që në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Kaljus në Talin, përballje ku Partizani nisi rrugëtimin europian. Në rastin e Kekos, dëmtimi ndikoi në repartin e sulmit. Kështu, brenda një kohe të shkurtër, Partizani ka humbur dy elementë që mund të ishin mjaft të rëndësishëm përgjatë sezonit. Në kushtet kur kampionati është gati për të nisur, humbja e Nondit e vë klubin përballë një skenari të paparashikuar.
MESFUSHA- Adnard Mehmeti, Redon Ismaili, Gjergji Kote, Tedi Malaj, Mateo Shanaj, Dion Vata janë alternativat e mbetura nga më parë. Nga ana tjetër, Rouen Hjume, afrimi tjetër i merkatos së verës, tashmë është kthyer në përforcimin e vetëm që Partizani po gëzon për mesfushën. Nigerianit Kazim Ogunleje i është dashur të lërë skuadrën për t’ju bashkuar kombëtares U-20 për Botërorin e 20-vjeçarëve. Babukar Jata ende nuk ka mbërritur në Tiranë, pasi pret të pajiset me vizë nga Gambia. Kjo situatë e lë trajnerin në dilemma, pasi për ndeshjet e para të kampionatit nuk mund të hedhë në fushë potencialin e plotë.
MERKATO- Nëse konfirmohet nevoja për ndërhyrje, dëmtimi i Nondit jo vetëm që do të vonojë debutimin e tij, por do të përkthehet në një humbje për një pjesë të gjatë të sezonit. Kjo e detyron klubin të kërkojë një tjetër mesfushor që qëndron para mbrojtjes.
RREZIKU- Përveç klubit, edhe trajneri Milinkoviç ndodhet në një situatë të ndërlikuar. I ardhur së fundmi për të ndërtuar një ekip kompetitiv, Milinkoviç has që në start dy mungesa me dëmtime të rënda. Pa një “shkatërrues” përpara mbrojtjes, rreziku është që ekipi të humbasë stabilitetin që e ka karakterizuar në dy sezonet e kaluara.
GODITJA- Prezantimet e lojtarëve si Nondi dhe Hjumen sollën entuziazëm në kampin e kuq. Tashmë realiteti ka ndryshuar. Vetëm njëri nga dy afrimet kryesore është në dispozicion dhe trajneri duhet të improvizojë për të mbuluar boshllëkun. Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si klubi do të menaxhojë pjesën e mbetur të merkatos dhe mbi aftësinë e grupit aktual për të përballuar ngarkesën e kampionatit dhe Kupës. Nëse nuk gjendet një zëvendësues i denjë për Nondin, rreziku është që skuadra të hyjë në sezon me probleme.
SPROVA- Dëmtimi i Amos Nondit është një lajm i rëndë për Partizanin. Kjo pasi rreth 1 javë më parë dukej e zgjidhur përfundimisht çështja e mesfushës. Humbja e një lojtari të tillë e vë në sprovë serioze si stafin teknik ashtu edhe vetë klubin. Mbetet për t’u parë nëse Milinkoviç do të arrijë të gjejë brenda skuadrës zgjidhjet e duhura, apo nëse klubi do të detyrohet të rikthehet sërish në merkato.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













