Elbasani kërkon ringritjen, Gvozdenoviç: Europa na la shije të hidhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2026 | 22:36

Elbasani kërkon ringritjen, Gvozdenoviç: Europa na la shije të hidhur

Elbasani ka rikthyer menjëherë vëmend jen te kampionati, pas mbylljes së aventurës europiane në raundin e parë të Conference League. Verdheblutë u eliminuan nga BATE Borisov vetëm pas goditjeve të penalltive, pas dy përballjeve ku skuadra tregoi se mund të rivalizonte një kundërshtar me më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Pas disa ditësh pushim, grupi është rikthyer në stërvitje për të nisur përgatitjet për sezonin e ri të Superiores.

gvozdenovic

Trajneri Ivan Gvozdenoviç, në një prononcim për “Panorama Sport”, pranon se eliminimi europian ka lënë një shije të hidhur, pasi sipas tij Elbasani ishte shumë pranë një arritjeje historike, por tashmë skuadra duhet të mendojë për sfidat që e presin. “Normalisht që eliminimi na ka mërzitur pak sa, sepse ishim shumë afër kalimit të turit të parë. Sipas mendimit tim, ishim skuadra që e meritonte më shumë kualifikimin. Kemi bërë dy ndeshje të mira dhe në momente të caktuara ishim më pranë fitores. Ishim edhe të pafat, sidomos në mënyrën sesi u vendos gjithçka me penallti, por kjo tani i përket së shkuarës. E kemi lënë pas dhe duhet të shohim përpara. Tani jemi të fokusuar te përgatitjet, sepse kampionati është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jemi gati”, u shpreh trajneri i Elbasanit.

MERKATO – Tekniku serb u ndal edhe te merkatoja e verdhebluve, duke pranuar se skuadra ka ende nevojë për përforcime përpara nisjes së sezonit. Gvozdenoviç vlerëson punën e bërë deri tani nga drejtuesit, por thekson se grupi nuk është ende i plotë dhe kërkohen disa ndërhyrje të tjera. “Kemi ende nevojë për tre ose katër përforcime të tjera dhe klubi po punon në këtë drejtim. Deri tani është bërë një merkato shumë e mirë, janë afruar lojtarë me cilësi, por për të kompletuar skuadrën na duhen ende disa ndërhyrje. Kemi nevojë për lojtarë në disa pozicione, për një qendërmbrojtës, një sulmues, një lojtar krahu dhe ndoshta edhe në mesfushë.

Duhet të kemi alternativa më shumë, sepse sezoni është i gjatë dhe do të kemi shumë ndeshje”, tha Gvozdenoviç. Elbasani ka kryer një merkato me shumë ndryshime gjatë kësaj vere, me shumë lojtarë që janë larguar dhe disa afrime të reja që janë bërë pjesë e grupit. Trajneri pranon se një skuadër e re kërkon kohë për të krijuar automatizmat, por shprehet i kënaqur me mënyrën sesi futbollistët e rinj janë përshtatur. “Kur ndryshon shumë lojtarë, normalisht që duhet kohë për të krijuar një skuadër. Nuk është e lehtë, sepse duhet të krijosh marrëdhënie të reja në fushë dhe jashtë saj. Por jam shumë i kënaqur me atë që po tregojnë djemtë në stërvitje. Lojtarët e rinj janë përshtatur mirë dhe po punojnë me shumë dëshirë. Kjo është shumë pozitive për ne”, shtoi trajneri.

OBJEKTIVAT – I pyetur për objektivat e sezonit të ri, Gvozdenoviç preferoi të mos vendosë një objektiv konkret përpara drejtuesve të klubit, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket presidencës. Megjithatë, ai shprehu besimin se Elbasani do të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe do të jetë gati për sfidat e reja. “Nuk mund të flas për objektivat përpara klubit dhe presidentit. Ata janë njerëzit që vendosin për këtë pjesë dhe më pas mund të flasim më shumë. Unë mund të them vetëm që kam shumë besim dhe jam optimist për sezonin që na pret. Është e vërtetë që janë larguar shumë lojtarë, por klubi ka punuar për të afruar futbollistë të tjerë me cilësi. Tani kemi nevojë për pak kohë që të bashkohemi si grup dhe të krijojmë skuadrën që duam”, deklaroi Gvozdenoviç. Verdheblutë do të vijojnë përgatitjet në fushën sportive të Cërrikut, ndërsa drejtuesit mbeten aktivë në merkato me synimin për të mbyllur afrimet e fundit përpara nisjes së kampionatit. Pas eksperiencës europiane, sfida e radhës për Elbasanin është të ndërtojë një skuadër të qëndrueshme që do të jetë konkurruese në një sezon ku pritshmëritë janë rritur.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL