Tirana e Klafuriç ndryshe, pasime të shkurtra dhe sulm nga krahët. Zbardhen kërkesat e kroatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2026 | 21:28

Tirana e Klafuriç ndryshe, pasime të shkurtra dhe sulm nga krahët. Zbardhen kërkesat e kroatit

Do të shihni një futboll tjetër te Tirana. Ose të paktën kështu beson Dean Klafuriç. Pak javë para nisjes së sezonit të ri, Tirana po merr gradualisht fytyrën e trajnerit Dean Klafuriç. Kroati ka shfrytëzuar ditët e para në kryeqytet, por edhe fazën përgatitore në Turqi, për t’i transmetuar skuadrës idetë e tij dhe për të krijuar identitetin e ekipit që dëshiron të shohë në fushë.

tirana

LOJA – Nga seancat stërvitore dhe ndeshjet miqësore, është kuptuar qartë se Klafuriç kërkon një futboll modern, me intensitet të lartë. Tirana nuk do të jetë një skuadër që do të kërkojë topa të gjatë apo do të mbështetet te aksionet individuale.

Përkundrazi, objektivi është ndërtimi i aksioneve që nga mbrojtja, me pasime të shkurtra, qarkullim të shpejtë të topit dhe lëvizje të vazhdueshme pa top. Trajneri kroat i kushton rëndësi të madhe organizimit. Çdo repart duhet të jetë i lidhur me tjetrin dhe topi duhet të qarkullojë me sa më pak prekje. Në momentin që skuadra fi ton posedimin, synimi është të kalojë shpejt në fazën sulmuese, duke shfrytëzuar hapësirat në krahë dhe lëvizjet e sulmuesve.

SULMI – Pikërisht loja nga krahët pritet të jetë një nga armët kryesore të bardhebluve. Bernard Berisha do të ketë liri të madhe në fazën ofensive, ndërsa nga ana tjetër Redon Xhixha pritet të jetë një nga pikat më të forta të ekipit. Edhe pse është sulmues qendre nga natyra, Xhixha ka aftësinë të lëvizë në të gjithë vijën e parë dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës. Në qendër të sulmit, Tomislav Kish pritet të jetë pika referuese, duke shfrytëzuar eksperiencën dhe instinktin e tij para portës.

Në prapavijë, Klafuriç duket se ka krijuar një ide të qartë. Visar Bekaj pritet të jetë zgjedhja e parë në portë, ndërsa para tij do të vendosen Patrik Staniç dhe Leonat Vitija, një dyshe që ofron siguri në duelet ajrore, por edhe cilësi në ndërtimin e aksioneve nga mbrojtja. Në krahët e mbrojtjes priten ndryshime. Bojan Ilievski është favorit për krahun e djathtë, ndërsa në të majtë mund të aktivizohet Fresneda. Arsyeja lidhet me gjendjen fi zike të Luciano Verës dhe Bazilio Ndong, të cilët nuk kanë arritur ende ritmin optimal ose nuk janë në skuadër dhe mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të qenë 100% gati.

ORGANIZIMI – Mesfusha mbetet reparti ku trajneri kroat kërkon ekuilibrin e skuadrës. Ardit Krymi pritet të jetë pika e referimit përpara mbrojtjes, duke garantuar balancën mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Përkrah tij do të luajë Patrik Myslovič, një futbollist me cilësi teknike dhe vizion loje, i cili pritet të ketë rol kyç në organizimin e aksioneve.

Vendi i tretë në mesfushë pritet t’i besohet Serxho Voglit. Përveç cilësive që ka treguar në stërvitje, aktivizimi i tij ndihmon edhe në plotësimin e kuotës së detyrueshme të lojtarëve të rinj. Gjithsesi, kroati nuk e konsideron formacionin si diçka të pandryshueshme. Gjatë fazës përgatitore ai ka provuar disa alternativa dhe pritet ta bëjë këtë edhe në javët e mbetura deri në nisjen e kampionatit. Konkurrenca në disa pozicione është e fortë, sidomos në repartin ofensiv dhe në mbrojtje, ku disa nga afrimet e reja ende po përshtaten me kërkesat taktike.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL